Zelensky pas bombardimit të termocentralit: Shkatërrim i barabartë me gjashtë Çernobilë, s’njeh kufij shtetërore

Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky është shprehur ditën e sotme se sulmi rus në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhya mund të kishte shkaktuar shkatërrim të barabartë me “gjashtë Çernobilë”.

“Populli i Ukrainës! Ne i mbijetuam mbrëmjes që mund të kishte ndaluar rrjedhën e historisë,  asaj të Ukrainës dhe Evropës”, kështu e nisi Zelensky fjalën e tij për mediat.

Zelensky tha ndër të tjera se Rusia e dinte se çfarë po bënte kur hodhi predha direkt në stacion dhe e konsideroi këtë të fundit si “një akt terrori në një nivel të padëgjuar”.

Teksa iu drejtua popullit rus Zelensky u shpreh: “Si është e mundur kjo? A nuk i luftuam së bashku pasojat e katastrofës së Çernobilit në 1986?”

Ai u kërkoi gjithashtu që “të dalin në rrugë dhe t’i thonë qeverisë së tyre se dëshirojnë të jetojnë”.

Ndër të tjera Zelensky shtoi se është në kontakt me liderët botërorë, të cilët sipas tij ishin “të tronditur” nga zhvillimet rreth termocentralit.

“Rrezatimi nuk e di se ku është Rusia. Rrezatimi nuk i njeh kufijtë e vendit tuaj”, tha Zelensky./ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT