Vladimir Putin mesazh ministrave të NATO-s: Mos e përkeqësoni situatën duke shtuar sanksionet, ne duam marrëdhënie të mira me fqinjët

Presidenti Putin ka paralajmëruar shtetet perëndimore që kundërshtojnë veprimet e Rusisë në Ukrainë “të mos e përkeqësojnë situatën” duke vendosur më shumë sanksione ndaj vendit të tij. Në një takim qeveritar të transmetuar në “Rossiya 24”, të kontrolluar nga shteti, presidenti rus shtoi se ata nuk duan të përkeqësojnë marrëdhëniet me fqinjët.
“Ne nuk kemi qëllime të këqija kundër fqinjëve tanë,” pohoi Putin, duke shtuar “Unë mendoj se të gjithë duhet të mendojnë se si të normalizojnë marrëdhëniet, të bashkëpunojnë normalisht dhe të zhvillojnë marrëdhëniet normalisht.”
Deklarata e presidentit vjen pas mbledhjes që kanë nisur sot në Bruksel ministrat e vendeve anëtare të NATO-s,të cilët do të diskutojnë për situatën në Ukrainë dhe mundësinë e shtimit të sanksioneve për Rusinë.
Vladimir Putin gjithashtu përsërit pretendimin e tij të mëparshëm se të gjitha veprimet e ndërmarra nga ushtria ruse deri më tani janë bërë “ekskluzivisht në përgjigje të disa veprimeve jomiqësore kundër Federatës Ruse”.
Presidenti ka marrë pjesë edhe në një ceremoni shtetërore, ku është shprehur se “Unë do të doja të theksoja edhe një herë se ne nuk kemi absolutisht asnjë qëllim të keq në lidhje me fqinjët tanë dhe nuk kemi reshtur kurrë së thënë këtë. Këshillojini ata kundër përshkallëzimit të tensioneve dhe vendosjes së çdo kufizimi. Ne po respektojmë të gjitha detyrimet tona dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.”
Kujtojmë se, sot Ukraina ka hyrë në ditën e nëntë të luftës me fqinjin e saj. Mëngjesin e 24 shkurtit Rusia nisi një “operacion special ushtarak, siç e quajti presidenti Putin, dhe prej atëherë bombardimet mbi Ukrainë nuk kanë ndalur. Raportohet për mijëra viktima në të dy “kampet.”