Zelensky bisedë telefonike me Ramën: Folëm për luftën kundër pushtuesve rus, vlerësojmë ndihmën e Shqipërisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama. Kjo bisedë telefonike në mes dy udhëheqësve është konfirmuar nga Zelensky me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Pata një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë @ediramaal. Folëm për luftën kundër pushtuesve rusë. U diskutua për punën e përbashkët në kuadër të UN. Ne vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Ne po bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund luftës. #StopRussia”, shkruan Zelensky.
Shqipëria ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Ukrainën në këto ditë të vështira të pushtimit nga Rusia. Qeveria shqiptare ka pranuar që të strehojë ukrainasit e shpërngulur nga lufta. Nisur nga ky postimi i presidentit ukrainas lë të nënkuptosh se edhe biseda mes tyre është fokusuar në tërheqjen e banorëve të Ukrainës mbi bazën e një projekti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Vetë Rama disa ditë më parë pati reaguar ndaj atyre akuzave që u lëshuan në adresë të tij se Shqipëria nuk ka dhënë asnjë ndihmë ndaj Ukrainës.
“Disa politikanë e analistë mbrojnë Ukrainën për të sulmuar qeverinë, që sipas tyre nuk ka dhënë asnjë ndihmë konkrete! Jo vetëm e kemi dhënë, po e kemi dhënë ndër të parët. Por nuk e kemi dhënë për t’u dukur këtu në Tiranë dhe aq më pak për të luftuar me gratanongratat e Tiranës!Jam shumë krenar që pavarësisht se vend i vogël mes të mëdhenjve të botës kemi ditur të dëgjohemi me respekt në mbështetje të Ukrainës në OKB,kemi ditur të shikohemi me respekt në NATO,kemi ditur të trajtohemi me respekt nga SHBA dhe i jemi gjendur me me shumë respekt Ukrainës”, do të reagonte kryeministri në rrjetet sociale.