Përfundon numërimi i votave në Lushnje/ Kandidatja e PS përqafon Braçen pas fitores

Pas Vorës dhe Rrogozhinës, Partia Socialiste ka marrë zyrtarisht fitoren dhe në bashkinë e Lushnjes, ku kandidatja Ersielda Sefa ka marrë shumicën e votave në zgjedhje.
Në këtë bashki sapo ka përfunduar numërimi, ku Sefa është shpallur fituese me 21,477 vota. Elton Bano i koalicionit “Shtëpia e lirisë” u rendit i dyti me 11,238 vota ndërsa kandidati i PD, Indrit Sefa u rendit i treti me 3,809 vota.
Menjëherë pasi ka marrë vesh rezultatin, Sefa ka përqafuar deputetin Erion Braçe, teksa ka falenderuar dhe votuesit.
“Mirënjohje për qytetarët e Lushnjes që më votëbesuan. Një falënderim kam dhe për ata që administruan procesin zgjedhor si në qendrat e votimit ashtu dhe në qendrat e numërimit. Alternativat që unë shpreha gjatë fushatës zgjedhore, idetë, projektet do të vihen në zbatim gjatë këtij viti.
Ata qytetarë që mbështetën alternativën tjetër, i them që do të gjeni një institucion të hapur pranë bashkisë Lushnje, komunikimi dhe bashkëpunimi me të gjithë qytetarët që duan të sjellin idetë e tyre në shërbim të komunitetit të Lushnjes dhe të gjejnë një derë të hapur dhe shumë faleminderit. Jam shumë mirënjohëse për të gjithë këtë votëbesim”, tha Sefa në një deklaratë.