“Do na ‘zvarritin'”/ Kina i del në mbrojtje Rusisë: Sanksionet janë të dëmshme për ekonominë globale

Kina është një ndër vendet që nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë sa i përket konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, teksa nga njëra anë deklaron se mbështet sovranitetin ukrainas, por nuk do që të prishë dhe marrëdhëniet me Rusinë.
Së fundmi, presidenti Xi Jinping i ka dalë në mbrojtje Putinit, duke kërkuar nga liderët globalë të punojnë bashkë për të reduktuar pasojat e krizës në Ukrainë, duke hedhur poshtë sanksionet të cilat sipas tij do të kenë një ndikim negativ në stabilitetin e financave globale, energjinë, transportin dhe zinxhirët e furnizimit.
Presidenti kinez argumentoi se sipas tij, sanksionet do të zvarritin ekonominë botërore, e cila është nën ndikimin e rëndë të pandemisë të COVID-19, gjë që do të jetë e dëmshme për të gjitha palët.
Kështu deklaroi presidenti Xi Jinping në video-samitin e mbajtur me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Kina nuk ka pranuar vendosjen e sanksioneve, teksa dhe në samitin e OKB-së votoi kundër rezolutës që dënonte pushtimin e Ukrainës.