Lefter Koka bën rekurs në Gjykatën e Lartë: Kërkon të dalë nga burgu

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kërkon të dalë nga qelia, shkruan neWsbomb.al. Ai është aktualisht në masën e sigurisë “Arrest në burg” për shkak se akuzohet se ka përfituar 3.7 milionë euro nga inceneratorët.
Lefter Koka ka bërë rekurs edhe në Apelin e Posaçëm për ndryshimin e masës së sigurisë, pra për të kaluar nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi” ose “Detyrim paraqitje”. Mirëpo, Gjykata e ka rrëzuar dhe ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
“Verifikimin e kushteve te zbatimit të masës se sigurimit dhe nevojave të sigurimit për personin nën hetim Lefter Koka. Vijimin e zbatimit te masës së sigurimit “Arrest ne burg” te parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar per kryerjen e veprave penale te “Shpërdorim i detyrës”, kryer ne bashkepunim, “Korrupsionit pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose i te zgjedhurve vendore”, te parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 260 te Kodit Penal, si dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” te parashikuara nga neni 287, germat “a” dhe “b” te Kodit Penal, e kryer ne rrethanën cilesuese “ne bashkepunim” sipas nenit 287/2 i Kodit Penal”, thuhet në kërkesën për rekurs.
AKUZA E SPAK PËR ISH-MINISTRIN
Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.