Bombardimet në materniteti, Lavrov justifikohet: Gratë dhe infermieret ishin larguar, spitali u kthye në bazë për ushtrinë ukrainase, nga kjo krizë do dalim të pastër mendërisht

Mariopuli është një ndër qytetet më të goditura nga trupat ruse në Ukrainë, ndërsa dje u bombardua një spital. Deri më tani nga autoritetet ukrainase janë raportuar 3 të vdekur, mes tyre një fëmijë 6-vjeçar, ndërsa viktimat pritet të shtohen.
Pas takimit me homologun ukrainas, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov doli në një konferencë për media ku ndër të tjera u pyet edhe për këtë sulm.
Në fjalën e tij, Lavrov “u shfajësua” duke thënë se sulmi është bërë nga grupime radikale, të cilët Rusia po i lufton. Ai hodhi poshtë dhe raportimet e Ukrainës se në spital kishte gra shtatzëna , ndërsa tha se ato janë larguar më parë. Sipas tij, opinion publik po manipulohet.
“Nuk është hera e parë që ne dëgjojmë deklarata për të ashtuquajtura krime lufte nga forcat ruse. Në një takim të Këshillit të Sigurimit treguam fakte për këto maternitete që janë të pushtuar prej kohësh nga grupe radikale. Janë larguar gratë shtatzëna nga këto spitale. Ju nxirrni konkluzionet tuaja si manipulohet opinioni publik në botë.
Ukraina është kthyer në një vend anti-rus ku perëndimi që nga vitet 2000 i kanë kërkuar të zgjedhë nëse janë me ne ose kundër nesh. Atëherë çfarë vlerash kanë diktuar për popullin ukrainas. Kemi bërë pretendime ku kandidatë pro perëndimor miratuan vendime jo kushtetuese për zgjedhje të treta ose manipulime të tjera. Ukraina vazhdoi të shndërrohej në një mjet eksperimental. NATO kërkoi që Ukraina të kishte lirinë për t’u anëtarësuar në aleancë.
Sot po zbulojmë se ka edhe ambiente për armë biologjike që populli ukrainas nuk i di. Kur filluam të flasim për çështjet bërthamore i bëmë thirrje ndërkombëtarëve të tregonin qëndrimin e tyre. Përse duhet siguria jonë të vendoset nga NATO. Ne nuk duam militarizimin e Ukrainës. Ne nuk duam të shohim ndërtimin e një shteti me tradita naziste në Ukrainë që vendosin shenja naziste. Këto njësi janë trajnuar për të kryer vepra kriminale.
Putin e ka thënë disa herë që kur bëjmë thirrje për moszgjerimin e NATO-s nuk duam të rrezikojmë Ukrainën.”- tha Lavrov.
Ministri komentoi dhe situatën e vështirë ekonomike, ku Rusia gjendet pas sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, duke thënë se Presidenti dhe Qeveria po merren me këtë çështje.
“Sa i përket ekonomisë ruse, ky është shqetësimi ynë. Presidenti dhe qeveria jonë po merren me këto çështje. Për problemet ekonomike ne do ia dalim. Ia kemi dalë me vështirësi në çdo etapë të historisë sonë. Ju garantojmë se do të dalim nga kjo krizë duke pastruar shëndetin tonë mendor me ndërgjegje më të pastër. Kur perëndimi flet për vlera nuk besojmë në atë që thotë”, tha Lavrov.