“Taksat ia kemi rritur oligarkëve”, Rama: Çmimet s’i vendos qeveria! Nga heqja e TVSH-së, fiton vetëm shitësi

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon, dhe sipas tij taksat do të vijojnë të ulen.
Por duke iu përgjigjur komentuesve në një bashkëbisedim “live”, Rama tha se qytetarët “duhet të paguajnë diku”.
Kryeministri u shpreh se heqja e TVSH-së nuk është zgjidhje për uljen e çmimeve, pasi sipas tij, çmimet i vendos tregu dhe në rast të heqjes së TVSH-së, ai që do të fitonte më tepër do të ishte vetëm shitësi.
“Ne kemi preferuar të vendosim më mirë një taksë te nafta, dhe më mirë një taksë kundër ndotjes, te pjesa që sidoqoftë kanë më shumë mundësi se të tjerët, dhe kemi ulur taksat për të gjithë. Biznesi i vogël, le të çohet një dhe të thotë që nuk e ka zero taksën. Le të çohet një dhe të thotë që taksat në Shqipëri nuk janë më të ulëtat në rajon, dhe do të vazhdojnë të ulen. Diku edhe do të duhet të paguajmë.
Kemi rritur taksat për oligarkët, të gjithë të tjerëve ia kemi ulur. Për fermerët ne japim naftën pa taksa, duhet të regjistrohesh me NIPT dhe e merr pa taksa fare. TVSH nuk na funksionon dhe nuk i ka funksionuar askujt, çmimet i vendos tregu, thjesht fiton më shumë ai që shet. Nuk i vendos dot qeveria çmimet, si në komunizëm”, tha ndër të tjera Rama.