Nismë për shkarkimin e Bashës? Të shtunën përballja e dytë në grupin e PD-së, lëvizja që pritet

Të shtunën do të zhvillohet përballja e dytë mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe deputetëve të grupit të PD-së. Mësohet se Basha ka thirrur në orën 11:00 të paradites mbledhjen e grupit parlamentar në selinë blu, për të diskutuar mbi situatën e krijuar pasi në zgjedhjet e 6 Marsit Partia Demokratike doli forcë e tretë.
Që nga mbledhja e parë e disa ditëve më parë nga radhët e deputetëve të PD-së janë shtuar zërat që kërkojnë dorëheqjen e Bashës nga posti i kryetarit, duke e fajësuar për humbjen e zgjedhjeve. Madje qëndrimet kanë shkuar akoma më tej sa ka pasur edhe dorëheqje nga postet drejtuese partiake, siç ishin ato të Grida Dumës, Agron Gjekmarkaj si nënkryetarë dhe të shkrimtares Flutura Açka nga Kryesia e PD-së.
Ftesa e tyre është për një reflektim nga Basha për të bërë një hap pas dhe për t’i hapur rrugën një lidershipi të ri. Kundër Bashës janë edhe 19 deputetë të grupit aktual dhe që sipas burimeve mësohet se do të ketë një lëvizje konkrete për të depozituar një kërkesë në forumet e PD-së për shkarkimin e Bashës nga posti i kryetarit. Një lëvizje e tillë për shkak të mos reflektimit të kryedemokratit pas kërkesa në bllok, për më shumë se gjysma e grupit parlamentar të PD-së.
Kërkesës për largim, Basha disa ditë më parë iu është përgjigjur se do të reflektojë, por se nuk ka paralajmëruar një dorëheqje, por ka theksuar se do të punojë vetëm për ringritjen e PD-së. “Ka patur një mbledhje të grupit të deputetëve që një ditë më pas, një mbledhje të grupit të kryetarëve, Kolegjin e Kryetarëve, do të vazhdojë me mbledhjen e Kryesisë. Pra jemi në një proces të thellë reflektimi pas të cilit padiskutim do të marrim përgjegjësitë nga unë i pari”, pati deklaruar Basha.
Ndërsa mësohet se një grup deputetësh që kryesohet nga Grida Duma, Tomor Alizoti, Ervin Salianji dhe disa të tjerë po mbledhin nënshkrimet për të depozituar te forumet e PD-së për të nisur procesin e shkarkimit të Bashës. Gjithsesi kjo lëvizje që përflitet në korridoret e PD-së pritet të konfirmohet vetëm ditën e nesërme.
Grida Duma një ndër kritikët më të ashpër ndaj Bashës, që dikur ishte në krah të tij, e ka cilësuar krydemokratin si një dështak. “Partia Demokratike e Shqipërisë është në ditët më të vështira, traumat e humbjeve të njëpasnjëshme nuk po rikuperohen sepse Lulzim Basha i përdor dhe negocion që dështimet e Partisë Demokratike t’i kthehen në fitime të tij. Pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi me maturi politike të ndërmarrë akte të përgjegjshme dhe të japë dorëheqjen, Lulzim Basha përdori një pakicë të zhgënjyerish për të goditur deputët, më të votuarit dhe më përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Fakti që Lulzim Basha nuk largohet edhe pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi dorëheqjen na kërkon të gjithëve vendimarrje për shpëtimin e demokratëve të sakrifikuar një dekadë. Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme sot deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domsdoshme për demokratët. Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë!”, do të deklaronte Duman një reagim ku bënte të ditur dorëheqjen nga posti i nënkryetares së PD-së.
Ndërsa Ervin Salianji tha se “Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën!”.
Deputetët kundër Bashës në grupin e PD
1- Agron Gjekmarkaj dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit
2- Grida Duma Nënkryetare
3- Helidon Bushati
4- Ramadan Lika
5- Emilia Koliqi
6- Elda Hoti
7-Lindita Metaliaj
8- Xhelal Mziu
9- Ferdinad Xhaferri
10- Lefter Geshtenja
11 – Dashnor Sulaj
12- Ilda Dhori
13- Kasem Mahmutaj
14- Ervin Salianji
15- Selaudin Jakupllari
16 – Eralda Bano
17 Merita Bakiu
18-Flutura Açka Dha dorëheqjen nga postet partiake
19-Dhurata Çupi
Pro Bashës
Arbi Agalliu
Orjola Pampuri
Kreshnik Çollaku
Agrona Kapllanaj
Enkelejd Alibeaj
Gazment Bardhi
Flamur Hoxha
Jorida Tabaku