Ukraina zbulon skenarin e Rusisë, si do të përfshihet në luftë Bjellorusia

Forcat e armatosura të Ukrainës deklaruan se avionët rus qëlluan në një vendbanim bjellorus pranë kufirit me Ukrainën nga hapësira ajrore ukrainase të premten në përpjekje për të tërhequr Bjellorusinë në luftën e Moskës kundër Ukrainës.

Forcat ajrore ukrainase thanë se në orën 14:30 me orën lokale (1230 GMT) shërbimi shtetëror kufitar mori informacion se avioni rus ishte nisur nga një aeroport në Bjellorusi, kishte kaluar në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe më pas kishte qëlluar në fshatin Kopani.

“Ky është një PROVOKACION! Qëllimi është përfshirja e Forcave të Armatosura të Republikës së Bjellorusisë në luftën me Ukrainën!”, tha Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës në një deklaratë në internet.

Ushtria ukrainase tha se dy vendbanime të tjera bjelloruse ishin gjithashtu në shënjestër në të njëjtin operacion.

“Ne deklarojmë zyrtarisht: ushtria ukrainase nuk ka planifikuar dhe nuk planifikon të ndërmarrë ndonjë veprim agresiv kundër Republikës së Bjellorusisë”, tha shërbimi i sigurisë në një deklaratë.

Në një mesazh të postuar në Facebook, ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, paralajmëroi qytetarët bjellorusë se forcat ruse po përgatitnin sulmin.

“Sipas synimeve të tyre kriminale, aviacioni rus po përgatitet të godasë një sërë vendbanimesh në territorin e Republikës së Bjellorusisë, të vendosura afër kufirit Ukrainë-Bjellorusi. Konkretisht, ata planifikojnë të godasin Kopanin”, tha Reznikov.

Më pas vazhdoi: “Qëllimi i këtij provokimi është të detyrojë Bjellorusinë të hy në luftë kundër Ukrainës. Unë garantoj se ushtria ukrainase nuk ka planifikuar, nuk planifikon dhe nuk do të planifikojë asnjë veprim agresiv kundër Bjellorusisë.”

Sulmi vjen pasi zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës Yevheniy Yenin tha se qeveria bjelloruse “ka bërë gjithçka që është e mundur për të shmangur përfshirjen në këtë luftë”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT