Ironia e Ramës: Jam shumë i gjatë për të vjedhur paratë nga xhepat tuaj

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët për të informuar punonjës në sektorë të ndryshëm për paketën e rezistencës sociale, ndërhyrjet e qeverisë dhe efektet e krizës ndërkombëtare në ekonomi.

Bashkëbisedimi i kryeministrit nisi në orën 10:00, një orë para protestës së qytetarëve kundër rritjes së çmimeve dhe me sa duket vjen me qëllimin për të zbutur revoltën e shqiptarëve të pakënaqur me situatën ekonomike në vend.

Me ironi kreu i qeverisë tha se “jam shumë i gjatë për të vjedhur paratë nga xhepat tuaj”.

“Në këtë situatë të befasishme të ndikuar nga një luftë që ndodhet më pak se 2 orë në vijë ajrore, po shikojmë pasoja tek rritja e çmimeve dhe prandaj kemi vendosur dje paketën e rezistencës sociale, ndër të cilat është masa për ta futur në fuqi menjëherë dhe jo në qershor siç ishte plani, heqjen e taksës mbi pagën deri në 400 mijë lekë.

Keni dhe një të ardhur plus, bëhet fjalë për një 7%, që ndahet mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, rëndësi ka që të gjitha paratë që merrni do i çoni në shtëpi, pra nga 340-400. Ata që janë me pagë deri në 500 do paguajnë vetëm gjysmën e taksës. Përsëri është një lehtësim i konsiderueshëm.

Pagat minimale në Shqipëri janë 300 mijë lekë dhe mënjeherë nga ky muaj, nga muaji prill, paga e prillit do fillojë të reflektojë rritjen e pagës minimale 320 mijë lekë dhe do ta rrisim çdo vit. Ambicia është që deri në fund të mandatit mos të ketë pagë nën 400 mijë lekë. Do të thotë rritje edhe e pagave tuaja. Kemi 56% të të punësuarve në Shqipëri që nuk paguajnë asnjë taksë, zero. kanë vetëm kontributet, por të cilat janë më të ulëtat në rajon, pasi në Europë nuk krahasohemi, pasi aty janë shumë të larta. I japim një lehtësi njerëzve në këtë kohë të vështirë. Nga ana tjetër do të thotë se gati gjysma e të punësuarve në Shqipëri janë me një pagë më të lartë se sa kaq”, deklaroi Rama.

“PAKETA E REZISTENCËS SOCIALE
Zerimi i taksës mbi pagat deri 40 mijë lekë të rinj dhe përgjysmimi i saj mbi pagat deri 50 mijë lekë të rinj, hyjnë në fuqi në prill?
20 miliardë lekë të rinj ose 200 milionë USD për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla??”, shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje Paketën e Rezistencës Sociale, ndaj pasojave të krizës globale energjetike, si edhe të luftës në Ukrainë, mbi çmimet.

Përmes masave konkrete me veprim të menjëhershëm, paketa kompenson rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, familjet në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar; ofron mbështetje për fermerët dhe bizneset e vogla, si dhe financon mburojën e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.

Qeveria do të ndërmarrë këto masa konkrete:

1. Do të derdhë menjëherë 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë dollarë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.

2. Për 434 mijë përfitues, qytetare e qytetarë të këtij vendi, qeveria do të kompensojë me lekë në dorë, rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të përllogaritur përpara goditjes është 25 mijë lekë të vjetra plus.

Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen çmimeve të shportës, për:

– pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale,

– pensionistët e invaliditetit,

– pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift)

– Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.

3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD, e cila do të derdhet menjëherë.

4 – Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin.

5 – Do të sjellë 2 muaj përpara, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 1,5 deri në 2 milionë lekë të vjetra, që do të thotë, 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë, paguajnë 0 taksë mbi pagën.

6- Do tërheqë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 320 mijë lekë të vjetra.

7- Qeveria vendos menjëherë të shtojë 20 miliardë të tjera, 200 milionë dollarë, në financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT