Cili do jetë impakti i vullnetarëve të huaj që shkojnë në luftë për Ukrainën

“Është si puna e një zjarrfikësi që dëgjon alarmin. Më duhej të shkoja.” Kështu e shpjegoi një kanadez kërkesën e tij për të marrë armët kundër forcave pushtuese të Rusisë në Ukrainë.
Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, tha më 3 mars se 16,000 njerëz nga e gjithë bota kishin dalë vullnetarë për t’iu bashkuar Legjionit Ndërkombëtar, dega e tij e sapo shpallur e ushtrisë.
Ky numër përfshin shumë njerëz nga fqinjët postkomunistë të Ukrainës, si dhe 3,000 amerikanë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se vullnetarë janë regjistruar nga 52 vende. Pavarësisht hezitimit të qeverive perëndimore për t’u bashkuar në luftime, duket se qytetarët e tyre nuk kanë pyetur. Por sa i madh do të jetë roli i tyre dhe si mund të ndikojnë në luftë?
Regjistrimi i të huajve ka qenë prej kohësh diçka popullore për arsyen e thjeshtë se ushtritë gjithmonë duan më shumë trupa. Rreth 91 shtete numëruan ushtarë të huaj në radhët e tyre midis 1815 dhe 2020, sipas hulumtimit të Elizabeth Grasmeder të botuar në International Security.
Ushtria franceze ka ende rreth 9,000 trupa në Legjionin e saj të Huaj, një degë gati 200-vjeçare e forcave të saj.
E megjithatë disa mund të vënë në dyshim besnikërinë dhe motivimin e trupave të huaj. Por gatishmëria e tyre për t’u regjistruar në betejë dhe për të rrezikuar jetën e tyre duket të jetë befasuese.
George Orwell, shkrimtari britanik që i kaloi të tridhjetat duke qëlluar kundër fashistëve nga vijat e para të luftës civile të Spanjës, më vonë përshkroi se kishte përjetuar “atë ndjenjë shkatërruese, aq e vështirë për t’u hequr qafe, që lufta në fund të fundit është e lavdishme”.