Rama zbulon mesazhin nga Brukseli: “Keni informacione kush qëndron pas protestave? Rusia ka shpresa te…”

Kryeministri Edi Rama tha se ata që protestojnë në një situatë lufte, “bëhen vegël e një interesi tjetër”, në këtë rast të Rusisë.
Gjatë një komunikimi me qytetarët në Facebook, kryeministri Rama u shpreh se nuk mendon që protestuesit “i ka nxjerrë Putini”, por zbuloi një mesazh që tha se ia kishte dërguar një person “nga një instancë në Bruksel” ku shprehej shqetësimi për diçka të tillë.
“Lufta sjell telashe dhe kjo që po ndodh mund të sjellë çmime më të larta, dhe Rusia ka shpresa te protestat e mëdha në vendet e NATO”, thuhej në mesazhin që Ramës ia kishin dërguar nga Brukseli.
Deklarata e Ramës:
Sot, për ata që nuk e kanë ndjekur, kam lexuar një mesazh që më ka ardhur nga Brukseli, më saktë jo nga Komisioni Europian, por nga dikush në një instancë të caktuar, ku thotë “po ndjekim me shqetësim zhvillimet në Tiranë, a keni informacione kush qëndron prapa këtyre protestave në Tiranë. Është legjitime që t’i bëhet presion qeverisë të veprojë në ndihmë të njerëzve. Shqipëria është pjesë e NATO, ndërkaq NATO është gati defakto në luftë me Rusinë. Lufta sjell telashe dhe kjo që po ndodh mund të sjellë çmime më të larta, dhe Rusia ka shpresa te protestat e mëdha në vendet e NATO. Absolutisht nuk po them që këta i ka nxjerrë në rrugë Putini, por them si mund të bëhesh vegël edhe e një interesi tjetër, për turpin tënd dhe të gjithëve, duke bërë diçka kaq të paturpshme sa një reagim i tillë.