Dita e 23 e luftimeve/ Shpërthime të shumta pranë kufirit me Poloninë, rrezik bërthamor nga Rusia nëse lufta vazhdon
Lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e katërt dhe duket se Rusia po zgjeron sulmet drejt perëndimit.
Një ekipi i CNN që ndodhet në frontin e luftës, ka kapur disa pamje në Lviv që tregojnë tymin që ngrihet nga drejtimi i aeroportit të qytetit, pasi dëgjuan shpërthime të premten në mëngjes.
Video të shumta të paverifikuara të mediave sociale duket se tregojnë tymin që ngrihet nga i njëjti vend. Ndërkohë sulmi në afërsi të aeroportit është konfirmuar nga kryebashkiaku i Lviv.
Andriy Sadovyi ka bërë një postim në llogarinë e tij në “Facebook”, ku shprehet se nuk ishte në gjendje të konfirmonte vendndodhjen e shpërthimit, por tha se nuk ishte aeroporti.
“Raketat goditën zonën pranë aeroportit Lviv. Nuk mund të them vendndodhjen për momentin, por definitivisht nuk është aeroporti. Dritaret e godinave të një kompanie të transportit automobilistik janë të dëmtuara. Situata në terren është duke u sqaruar dhe ne do të përditësojmë më vonë”, tha Sadovyi.
Nga ana tjetër nuk pati asnjë informacion për viktima. Kryebashkiaku gjithashtu u kërkoi njerëzve që të mos shpërndanin foto të vendndodhjes që u sulmua.
Lviv ndodhet rreth 43 milje (70 kilometra) nga kufiri polak dhe ka qenë relativisht i paprekur nga sulmet ruse deri më sot. Qyteti ka shërbyer dhe si qendër për pritjen e emigrantëve që kanë ardhur nga vendet më të goditura të lindjes.