Kosova e ‘ASHPËR’ me Shqipërinë, ndalon importin e shpendëve

Pas konfirmimit të rasteve të para me gripin e shpendëve në vendin tonë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka ndaluar importin nga zonat që janë të prekura.
Nëpërmjet një deklarate, AVU shprehet se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare të veterinarisë për të parë dhe parandaluar mundësitë e përhapjes së këtij gripi në Kosovë.
“Duke u bazuar në raportin e OIE ( Organizata Ndërkombëtare për Epizooti ) me numër reference D381-1-1-22, për lajmërimin e paraqitjes se sëmundjes Gripi i Shpezëve-AvianInfluenza tipi H5N8 në zonën e Durrësit Shqipëri. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot me datë 21.03.2022 nxjerrë ‘’Vendim’’me nr.03/205/22, Për masat e ndalesës se importit të shpezëve të gjalla nga zona qe është konfirmuar prezenca e sëmundjes. Vendimi është nxjerrë bazuar në Ligjin Nr. 2004/21 për Veterinarinë dhe udhëzimin administrativ Nr. 2005/24 për Luftimin e Sëmundjes Zoonotike të Shpezëve ‘Gripi i Shpezëve’. Bazuar në vlerësim të situatës epizootiologjike paraqitjes se disa rasteve në shtetin fqinj”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, Ministria e Bujqësisë konfirmoi përhapjen e gripit H5N8, teksa deri më tani janë numëruar gati 1 milion pula të ngordhura në disa pulari, në Durrës.