Qeveria heq dorë nga kontrolli i pompave të naftës, ia “fal” privatit, KLSH gjen “shkelje serioze”: Nuk ka analizë për monitorimin e karburanteve!

Ministria e Financave e dha me koncesion shërbimin e pompave të naftës gjoja për të përmirësuar mbrojtjen e konsumatorit, por gjetjet e KLSH mbi kontratën zbulojnë se, në fakt, Shteti vetëm ka hequr kompetenca duke ia dhënë privatit.

Kontrolli i pompave të naftës funksionon për të garantuar saktësinë e karburantit që shitet për klientët. Ai njihet si proces në të gjithë botën dhe zakonisht kryhet nga struktura inspektuese shtetërore. Edhe tek ne, çdo vit, çdo pompë e shitjes së naftës në pikat e karburantit paguan 14 mijë lekë për kontrollin e saktësisë së saj.

Deri dy vjet më parë, këto para i kalonin Shtetit, i cili kryente, me inspektoratin përkatës, shërbimin e kontrollit. Taksa e kontrollit të këtyre pompave është 2 lekë për litër naftë dhe Shteti ynë mblidhte jo pak, por 5 milionë euro në vit. Mirëpo befas, qeveria vendosi t’ia kalojë këtë shërbim privatit.

Disa media kanë raportuar se Ministria e Financave po planifikon ta dyfishojë pagesën për kontrollin e pompave në 28 mijë lekë. Me fjalë të tjera, privati koncesionar do të mund të dyfishojë fitimin e tij. Kompania private investon vetëm rreth 600 mije euro dhe nga koncesioni njëzetvjeçar, do të përfitojë minimalisht 100 milionë euro, nëse tarifat e kontrollit do të jenë të njëjta.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në datat 29.07.2021 deri më 22.10.2021. zhvilloi auditimin e performancës me objekt “Efektiviteti i masave të marra për mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet me peshën dhe matjet” (https://panel.klsh.org.al/storage/phpFef4nA.pdf ), duke u ndalur pikërisht në koncesionin e dhënë nga qeveria për verifikimin dhe kontrollin e pompave të naftës dhe gazit.

KLSH ka vënë re shumë mangësi serioze në këtë kontratë.

Së pari, mungon një ekspert metrolog për të monitoruar zbatimin e kontratës. Së dyti, privatit i është dhënë e drejta për të gjobitur abuzuesit, duke hequr kompetenca nga institucionet dhe duke i lënë dorë të lirë koncesionarit për të gjobitur bizneset, pa kaluar më parë nën filtrat e laboratorëve shtetërorë. Së treti, në kontratën e koncesionit parashikohet se Shteti mban të gjitha rreziqet financiare, në rast se nuk realizohen të ardhurat, ndërsa privati vetëm rrezikun e investimit.

Gjetjet e audituesve të KLSH përfshinin:

  • Përplasjet e kuadrit ligjor, ku ligji për metrologjinë dhe përfshirja e kontratës koncesionare nuk janë të ndara qartësisht
  • Mënyra sesi është ndarë risku i kontratës
  • Hapësirat e mundshme për konflikt interesi

Audituesit e KLSH shprehen se “Përjashtimi që i bëhet institucionit publik në ushtrimin e plotë të funksionit të inspektimit të instrumenteve të verifikuara prej koncesionarit rrezikon t’i bëjë të pakontrollueshëm instrumentet matëse, përdoruesit e tyre dhe shërbimin e verifikimit metrologjik”.

Pra, kontrata nuk ka një metrolog, ndërkohë që raportet e monitorimit gjykohet se nuk kanë analizë të pavarur, por janë kopjim i raporteve të koncesionarit. Kjo është tërësisht e vërtetë sot në të gjitha pikat e karburanti, ku kontrolli i pompave është sporadik dhe nuk ofron cilësinë dhe garancinë e duhur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT