Video/ Mbyllet në “paqe” pjesa e parë me Spanjën! Kuqezinjtë pretendojnë për penallti

Mbyllet në barazim, 0-0 pjesa e parë e ndeshjes miqësore mes Spanjës dhe Shqipëri, sfidë që luhet në “RCDE Stadium”, teksa kuqezinjtë e Edi Rejës do të zhvillonin një pjesë të parë relativisht të mirë përballë djemve të Luis Enriques.
Ferran Torres jep sinjalin e parë në portën e Etrit Berishës në minutën e 5-të, me gardianin shqiptarë që pret gjuajtjen e spanjollit. Po ashtu edhe Gavi do të provonte t’i afrohet portës së Berishës me një ritëm shumë të shpejtë, por bllokohet në kohë nga Marash Kumbulla.
Ndërsa kuqezinjtë do të përgjigjeshin me Sokol Cikalleshin 13’ i cili rrëzohet në zonë, pas një ndërhyrje nga Eric Garcia, djemtë tonë kërkojnë penallti por nuk është i këtij mendimi gjyqtari i cili lejon vazhdimin e lojës.
20’ Hysaj gabon duke i dhënë mundësinë kombëtares iberike të hidhet në sulm, me Pablo Sarabia që realizon një goditje qendrore, por Berisha pret.
Djemtë e Edi Rejës 28’ provojnë të rrezikojnë portën e iberikëve, teksa Balliu tenton të godasë por gjuan shumë lehtë dhe topi ndalet në duart e Raya Martin.
10 minuta me vonë një tjetër rast, Pedri do të rrezikonte, teksa depërton mbrojtjen shqiptare dhe godet në drejtim të portës, por Berisha e ndal atë top.
Armando Broja shfaqet i rrezikshëm në minutën e 38-të ku bën 40 metra me topin në këmbë mes futbollistëve kundërshtarë dhe në fund fiton një goditje këndi.