Turqia ‘hap derën’ për oligarkët rusë të sanksionuar nga Perëndimi: Ne do lejojmë…

Oligarkët e Rusisë po përballen më sanksione të rënda që pasi Vladimir Putin vendosi të niste pushtimin e Ukrainës. Sanksionet ndalonin të gjitha aktivitetet e tyre të biznesit në SHBA dhe në vendet perëndimore.
Megjithatë duket se për ta, shpëtimi është në Turqi. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, deklaroi se ata mund të vazhdojnë të bëjnë biznes në Turqi për sa kohë që ata respektojnë ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. I intervistuar në Forumin e Dohas në Katar, Cavusoglu u pyet nëse oligarkët rusë që përballen me sanksione nga vendet perëndimore mund të bëjnë biznes në Turqi.
“Sigurisht, nëse është e ligjshme, nëse nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, do ta konsideroj. Nëse është kundër ligjit ndërkombëtar, kjo është një histori tjetër. Ne do të lejojmë çdo aktivitet të ligjshëm dhe legjitim dhe nuk do të lejojmë asnjë veprimtari të paligjshme në Turqi”- tha ai.
Turqia e ka përshkruar pushtimin rus të Ukrainës “të papranueshëm” dhe ka ofruar shërbimet e saj si ndërmjetëse për të ndihmuar në përfundimin e luftës.