Putinin e pret dënimi për krime lufte/ Britania angazhon gjykatësin ‘famëkeq’ që la Karaxhiç përjetë në burg

Tashmë ka kaluar më shumë se një muaj që prej fillimit të luftës në Ukrainë dhe civilët po bëhen gjithmonë e më shumë shënjestër e bombardimeve nga Rusia.

Kjo ka bërë që shtetet perëndimore të ngrenë akuza ndaj Vladimir Putin për krime lufte, me vetë presidentin amerikan Joe Biden, i cili deklaroi se “Putin është një kriminel lufte”.

Së fundmi, raportohet nga mediat e huaja se Sir Howard Morrison, gjykatësi britanik i cili dënoi kasapin serb Radovan Karaxhiç me burgim të përjetshëm për krime lufte, është caktuar ta këshillojë Ukrainën dhe qeverinë britanike për hetimin dhe ndjekjen penale të Vladimir Putinit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Prokurorja e Përgjithshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman njoftoi se e ka emëruar Sir Howard Morrison për të ndihmuar në ndjekjen penale të krimeve të luftës në Ukrainë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, shkruan The Telegraph.

Për një dekadë Morrison ishte gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë për krimet në ish-Jugosllavi dhe kryesoi gjyqin e ish-liderit serb të Bosnjës, i cili rezultoi me dënim të përjetshëm.

“Mund të duket e paimagjinueshme që kriminelët rusë të luftës mund të jenë një ditë në bankën e të akuzuarve. Nuk kam dyshim se ishte e paimagjinueshme si për Karaxhicin ashtu edhe për mbështetësit e tij. Dhe sot ai është pas hekurave, duke vuajtur dënimin në një burg britanik”, tha Braverman.

Mbretëria e Bashkuar ka ofruar gjithashtu 1 milion paund në mbështetje të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe do të sigurojë hetues nga Njësia e Krimeve të Luftës dhe Inteligjencës Ushtarake të Scotland Yard.

Morrison konsiderohet si një nga avokatët penalë ndërkombëtarë më të vjetër dhe më me përvojë në Mbretërinë e Bashkuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT