Nuk ju bashkua sanksioneve/ Rusia ‘lavdëron’ Serbinë: Morën vendim të mençur

Serbia ishte një ndër vendet e pakta të Evropës që nuk ju bashkua sanksioneve kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Për këtë arsye, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka lavdëruar Beogradin zyrtar për refuzimin e sanksioneve kundër Moskës, duke thënë se aleatja e Ballkanit ka marrë “vendim të mençur”.
“Ne respektojmë thellësisht popullin serb, kulturën serbe, historinë serbe dhe përkushtimin ndaj miqve tradicionalë”, ka thënë Lavrov para një grupi të gazetarëve serbë në një video-konferencë.
“Ne jemi të sigurt se ata do të vazhdojnë të marrin vendime të mençura në këtë situatë”.
Ndonëse Serbia ka votuar pro rezolutës së Kombeve të Bashkuara që dënon pushtimin rus, Beogradi nuk u është bashkuar sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vënë kundër Moskës.
Lavrov ka thënë se sanksionet “janë përpjekje e Shteteve të Bashkuara për të imponuar hegjemoninë e tyre” në Ballkan, dhe ka shtuar se Perëndimi është duke tentuar “të izolojë Rusinë”, në rajonin që ka përjetuar luftë shkatërruese në vitet 1990.