Marrëveshja e TAP/ Ish-drejtori i EGL: Krim nëse Shqipëria nuk merr transit fees!

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, ish-drejtori ekzekutiv i EGL në Shqipëri Bashkim Baholli hedh dritë mbi shumë anë të panjohura të projektit të TAP në Shqipëri.
Kujtojmë që EGL ishte kompani tregtare energjie me bazë në Zvicër, e cila inicio projektin e gazsjellësit të TAP, ndërsa Bashkim Baholli deri në vitin 2016 ishte drejtori ekzekutiv i EGL. Baholli shprehet ai ka hartën se ku kalon tubacioni i TAP dhe se sipas tij do të ishte një krim i madh nëse Shqipëria nuk merr transit fees nga TAP.
“Kam angazhuar katedrën e topografisë së universitetit të Tiranës, Gëzim Pisha ishte shef katedre dhe një djalë inxhinier i talentuar Sokol Allaraj, të cilët u morën me hartën dhe unë sot e kësaj dite kam hartën ku kalon tubacioni i TAP dhe me të gjitha kuotat ku hyn, ka hartën e detajuar.
E gjithë ideja ishte se aty ku kalon tubacioni duhet të paguajë transitin pronarëve të tokës. Kurse për sa i përket tokës ne marrim përgjegjësi sepse tubacioni kalon tre metra thellë dhe nuk njihet pronësia e pronarit në thellësi, por nëse cënohej toka të gjithë dëmin e paguante firma direkt dhe në këtë pikë TAP ishte korrekt dhe duhet ta kthente tokën në nivelin që u mor kur filloi procesi.
Ato japin pagesë për metër kub sa është gjatësia për tranzitin, por nuk e di sa merr Shqipëria. Nëse Shqipëria nuk merr transit fees nga ata është një krim ose dikujt ia kemi marrë ata para në rrugë të tjera se nuk ka asnjë motiv. Vetë EGL e dinte këtë që ata do të paguanin dhe prandaj është bërë harta dhe ata ishin të gatshëm të paguanin transit fees”, u shpreh në një intervistë ekskluzive për “Shqip” ish-drejtori ekzekutiv i EGL në Shqipëri Bashkim Baholli./Dritare.net