Arrestimi i Bllakos, PS i hap rrugë/ Balla: Nesër pasdite mblidhet Këshilli, kjo është vija e kuqe për këdo që…

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla ka folur në lidhje me kërkesën e SPAK paraqitur Kuvendit për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako, i akuzuar për shpërdorim detyre për çështjen e inceneratorëve.
Balla u shpreh se nga PS dhe mazhoranca nuk do të ketë asnjë vonesë apo pengesë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores të Imunitetit dhe Mandateve, duke zbuluar se ky organizëm do të mblidhet nesër në ora 18:00.
“Kryetarja e Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, procedura e Kuvendit do të vijojë pa asnjë vonesë, në funksion të asaj që thashë, që drejtësia të operojë, pas asnjë as pengesë”, tha Balla.
Ai shtoi se është e rëndësishme që drejtëisa të bëjë punën e saj dhe se reforma në drejtësi po jep efektet e veta. “PS ka vendosur vijë të kuqe për këdo dhe nuk është mburojë për askënd që shkel ligjet dhe drejtësinë”, tha Balla para gazetarëve.
“PS nuk është mburojë për askënd, kjo duhet të jetë vijë e kuqe për këdo. Do mbajmë këtë qëndrim”, tha Balla”.
Ai tha se si koleg nuk është i gëzuar nga vendimi, ndërsa shtoi se para drejtësisë duhet të vihet kushdo, pavarësisht se nga cili kamp vjen.
“Unë nuk jam i gëzuar për askënd që kërkohet një mase sigurie me arrest me burg. Në aspektin njerëzit, të të qënit fakti të kolegut, nga secili krah qoftë personi apo kolegu. në aspektin njerëzor, përgjigja e pyetjes tuaj; s’jam i gëzuar. Por kam një aspekt tjetër, që forcova udhëheqëse e PS ka pasur objektiv arritjen e një momenti që drejtësia të funksionojë dhe të vendoset para drejtësisë gjithkush pa dallim se nga cili krah vjen. Do punojmë në këtë drejtim për të thelluar efektet e reformës në drejtësi.”, tha ai.