Arrestimi i Bllakos/ Salianji: Kuvendi po mban të fshehur dokumentacionin që ka dërguar SPAK

Deputeti demokrat Ervin Salianji thotë se Kuvendi nuk u ka vënë anëtarëve të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve dokumentacionin e që SPAK ka dërguar për deputetin Alqi Bllako.
Salianji thotë se Kuvendi njoftoi ditën e djeshme se dokumentacioni është gati dhe mund të tërhiqet, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Reagimi i plotë
Dje, rreth orës 18:35, në postën elektronike të anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka mbërritur një email nga sekretaria e Kuvendit, ku njoftohen për mbledhjen e ditës së nesërme në orën 18:00 për shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Në email thuhet se dokumentacioni shoqërues i kërkesës është gati dhe mund të tërhiqet pranë sekretarisë ditën e nesërme.
Por, e vërteta është se as ditën e nesërme në mëngjes dhe deri më tani, kur na ndajnë më pak se katër orë nga fillimi i mbledhjes së Këshillit, materialet nuk na janë vënë në dispozicion. Kjo në kundërshtim flagrant me Rregulloren e Kuvendit, e cila në nenin 118, pika 1 parashikon se kryetarja e Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentacionin përkatës menjëherë anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Askush nuk e di se cila është arsyeja apo arsyet që Kuvendi i Shqipërisë iu mban të fshehur anëtarëve të Këshillit, dokumentacionin e dërguar me SPAK. Por, ajo që ne dimë me siguri është se sot pushteti dhe veglat e tij janë në hall, dhe mbi të gjitha se ajo që po bëjnë është një tjetër shkelje flagrante e ligjit. Halli i qeverisë nuk janë zyrtarucët që i ka përdorur dhe më pas i ka lëshuar, halli i tyre është koka e grupit!