Bombardoi Serbinë 22 vite më parë si Komandant i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark: Kosova të anëtarësohet sa më shpejt

Gjenerali amerikan Wesley Clark, prijës i aksionit bombardues mbi Serbinë 22 vjet më parë si Komandant Suprem i Forcave të NATO-s, ka shpjeguar se sa e vështirë ka qenë të merrej vendimi për bombardim në vitin 1999 – vendim të cilin tashmë po e kërkojnë edhe ukrainasit kundër Rusisë.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, Clark ka thënë se është e qartë që Moska është e interesuar që të destabilizojë edhe Ballkanin, por thotë se shpreson që Kosova të marrë ftesën shpejt për anëtarësim në NATO.

Për Serbinë thotë se mbetet me shpresë që të arrijë të shkëputet nga idetë e vjetra pansllaviste dhe t’i bashkohet modernizmit – larg ideologjisë së shëmtuar të Sllobodan Millosheviqit. Ushtaraku amerikan thotë se Aleanca Veri-Atlantike duhet të rrisë sigurinë në Europë, pasi një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia do të rrezikonte stabilitetin.

Pjesë nga intervista e gjeneralit amerikan:

Wesley Clark : NATO ia kishte bërë të qartë Millosheviqit dhe kishte ndërmarrë veprime për të konfirmuar, se nëse ai rifillonte spastrimin etnik, ai do të përballej me fushatën e bombardimeve. Vendimi për të nisur fushatën [e bombardimeve] ishte marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga shefat e qeverive të NATO-s. Unë kam përgatitur koncept-planet dhe jam konsultuar gjatë procesit të vendimmarrjes.

Pyetje: Pas gjenocidit që ndodhi në Bosnje, a është dashur t’i besohet Millosheviqit kur ai thoshte se “Kosova është çështje e brendshme” dhe se “nuk do t’i lëndonte njerëzit e tij”? A ka qenë e mundur të parandaloheshin masakrat që ndodhën?

Wesley Clark :  Realisht, nuk ishte e mundur përfshirja e Kosovës në Procesin e Paqes së Dejtonit dhe kështu u deshën sulmet e përshkallëzuara serbe në vitin 1998 për të sjellë nevojën që NATO të merret me Kosovën.

Pyetje: A kishte vërtet rrezik për nisjen e Luftës së Tretë Botërore pas hyrjes së forcave ruse në Prishtinë në vitin 1999?

Wesley Clark :  Jo, nuk kishte një rrezik të tillë. Ai ishte thjesht një shqetësim i ekzagjeruar që e shprehu një gjeneral britanik duke qenë nën stres të madh.

Pyetje: Madeleine Albright vdiq një ditë para 23 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s, të cilën ajo e konsideroi si krenarinë më të madhe. Si e mbani mend atë?

Wesley Clark : Sekretarja Albright ishte një lidere e fuqishme, parimore, e cila mbronte lirinë dhe demokracinë  – ajo ia dedikoi jetën këtyre parimeve. Ajo besoi se SHBA-ja duhet të udhëhiqte. Ajo mund të ishte e ashpër si përkrahëse për të ndërmarrë veprimet e duhura. Unë isha gjithmonë mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e saj.

Pyetje: Ka frikë dhe shqetësime në Ballkan që konflikti në Ukrainë mund të përhapet edhe në rajon, sidomos në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. A mendoni se ka rrezik real dhe si duhet të veprojë NATO në këtë rast?

Wesley Clark: Shihet qartë që Rusia është e interesuar në destabilizimin e Ballkanit, por kjo s’ka ndodhur deri më tani. Bashkimi Europian ka përforcuar prezencën në Bosnje dhe z.Dodik është paralajmëruar dhe sanksionuar atje. Serbia po përpiqet në divorcimin e saj nga idetë e vjetra të pansllavizmit dhe imperializmit dhe të kalojë në botën moderne; shpresojmë që kjo mund të ndodhë. NATO është e gatshme të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në rajon; Shpresoj se Kosova së shpejti do të ftohet për anëtarësim në NATO.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT