Vetëvendosje nisë protestat gjithë popullore kundër PAN hajnisë
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur të premtën në Vushtrri tubimet me qytetarë për të larguar nga pushteti Qeverinë Haradinaj.
Me këtë rast, lideri i VV-së, Albin Kurti para qytetarëve të Vushtrrisë, tha se dy brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës janë papunësia dhe korrupsioni.
“Vjedhja nalt e varfëria poshtë janë të lidhura. Mbi 650 zyrtarë të lartë kanë më shumë se një pozitë, e kryeprokurori i Kosovës i ka 7 pozita, ai nuk po funksionon sepse është shumë i zënë. Paga e presidentit është 15 herë më e lartë sesa paga minimale, paga e shoferit të kryetarit të Kuvendit është më e madhe se paga e profesorit në shkollë të mesme”, ka thënë Kurti.
Kurti: Me një tarifë 100% ndaj Serbisë, nuk mbulohet gjithë ky korrupsion e krim i organizuar.
Ai ka shtuar se në Kosovë kemi individ më të fuqishëm se vet shteti, duke theksuar se na duhen zgjedhje të reja dhe qeverisje e re ku ligji do të jetë mbi politikën.
“Me qeverisjen e re pas zgjedhjeve të reja hiqet zullumi mbi bizneset dhe fukarallëku midis popullsisë. Nuk mund të bëhet shtetndërtimi demokratik me kushëri e dosta, me Gent Begollin e Bedri Istrefin në Telekom e Valon Tolajn në AKP, nuk ec ekonomia. Shteti i Kosovës sot ka aq institucione sa kanë kushëri Thaçi e Haradinaj, me listë të dasmave tyre i kanë shti njerëzit në punë nëpër institucione. Me një tarifë 100% ndaj Serbisë, nuk mbulohet gjithë ky korrupsion e krim i organizuar”, u shpreh Kurti.
Kurti ka thënë se politikanët që janë në pushtet duan ta zëvendësojnë Gjermaninë me Rusinë.
“Nëse Rusia dështoi me puqet e saj në Mal të Zi e Maqedoni pse duhet të ketë sukses në vendin tonë. Këta duan që Gjermaninë ta zëvendësojnë me Rusin, por projekti i tyre për shkëmbim territorial ka dështuar ndonëse ideja e tyre nuk ka vdekur”, tha Kurti, duke shtuar se që ta ndalim hajnin duhet ta largojmë qeverinë.
Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar protesta në gjithë Kosovën për t`i thënë stop keqqeverisjes.
Protestat po konsiderohen si e vetmja zgjidhje e mundshme për të larguar këtë qeveri nga pushteti.
Mehmeti: Protestave duhet t`i bashkohet edhe LDK-ja
Faton Mehmeti
FOTO GALERI
Lidhur me këtë, analisti politik Faton Mehmeti, për “Bota sot” ka thënë se, më mirë të largohet një herë e përgjithmonë kjo qeveri nga pushteti, sesa qytetarët nga Kosova.
Ai ka thënë se në këtë protestë të paralajmëruar duhet që të gjithë të bashkohen, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
“Mbi të gjitha është në pyetje fati i Kosovës dhe të ardhmes së saj, dhe nëse nuk ngrihemi tani të gjithë në këmbë, dikur do të jetë vonë. Vendi çdo ditë po zbrazët, dhe ky trend duhet ndalur, ndryshe Kosova do të mbes pa të rinj, dhe faktikisht me rrezikun që Kosova të shpërbëhet ose të mbetët bosh. Kështu që protestave duhet ti bashkohet edhe LDK-ja dhe të gjithë ata që e duan të mirën Kosovës, pasi nuk bëhet fjalë për politikë por për Atdheun në këtë rast”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.
Tahiri: Nëse Vetëvendosje del jashtë vijave partiake, masiviteti nuk do të mungojë
Ramush Tahiri
FOTO GALERI
Kurse, analisti politik Ramush Tahiri, ka thënë se protestat qytetare të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, të paralajmëruara sipas një orari të caktuar që do të mbahen në sheshet kryesore të të gjitha qyteteve të Kosovës dhe që kanë për qëllim rrëzimin e Qeverisë Haradinaj ose të PAN it, janë e drejtë themelore e shprehjes së vullnetit qytetar.
Sipas tij, për dallim nga protestat e së kaluarës kur u vranë dy qytetarë nga policia rumune e UNMIK- ut, tash policia nuk duhet të ketë kurrfarë urdhri për intervenim apo për bllokim të demonstratave apo për shpërndarjen e tyre.
“Kjo do të ishte kundër demokratike dhe do të ishte keqpërdorim i saj nga ana e pushtetit aktual. Megjithatë mbetët të shihet nëse këto protesta do ta rrëzojnë Qeverinë e Kosovës dhe se a do të jenë këto tubime e protesta masovike dhe a do të krijojnë masën kritike për të detyruar Qeverinë e Republikës së Kosovës të jap dorëheqje, mbetet të shihet. E gjithë kjo varet nga mënyra e organizimit dhe nga qasja. Nëse Vetëvendosje nuk vepron vetëm nga vijat partiake por del me kërkesa gjithë popullore dhe me argumente konkrete në kritika atëherë masoviteti nuk do të mungojë”, ka thënë analisti politik Ramush Tahiri.
Protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk është duke u përkrahur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse edhe kjo e fundit po e kërkon rrëzimin e qeverisë Haradinaj.
Shahu: Por opozita e fragmentarizuar nuk e ka fuqinë goditëse
Rexhep Shahu
FOTO GALERI
Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se LDK-ja e vetme duhet të fitoj besimin e humbur, jo me protesta e revolucion me LVV-në
“VV mbase po përgatitet, por opozita e fragmentarizuar nuk e ka fuqinë goditëse. Ndërsa LDK-ja nuk mund as duhet të pres, ta marrë përdorë VV vetëm nëse e ka lejuar veten që ajo forcë aq e madhe politike të udhëhiqet nga VV. Unë besoj se LDK-ja duhet e vetme të fitojë besimin e humbur i cili fitohet jo me kalkulime numrash por me autoritetet e larta morale që i ka brenda vetes e nuk i sheh”, ka thënë analisti Rexhep Shahu.
E keqja vjen një sistem i instaluar pa llogaridhënie
Ismet Haziri
FOTO GALERI
Kurse, njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, ka përmendur një varg arsyesh për të cilat sipas tij, duhet të protestojnë qytetarët.
Ai thënë se, Kosovën në këtë gjendje e kanë sjell liderët politik të saj.
“Prandaj, jo se është e pëlqyer anarkia, por VV dhe opozita duhet të ju dalë në ballë qytetarëve për interesin e Kosovës për të mbrojtur popullin dhe Kosovën. Kosova dhe populli shqiptarë ka dhënë mjaftë për çmimin e lirisë, prandaj Kosova dhe liria e saj, janë me çmime shumë më֝ të larta, se akomodimi i elitave politike në֝ fotelet e luksit. Këto çmime janë për më֝ shumë se një shekull përndjekje, burgosje, vrasje, masakrime dhe duke ju bashkuar me çmimin e lirisë përfundimtare të trojeve të Dardanisë së ngushtë me 15 mijë viktimave të luftës mbi 20 mijë֝ dhunime, shumë masakrime. Kurse strategjia e tokës së djegur që është segregacion, shkatërrimi i gjithçkaje që ka paraqitur identitet dhe vlera kombëtare për shqiptarët si popull autokton. Pra ne duhet të i instalojmë disa parime të cilat nuk i kemi dhe mungesa e tyre është ne dëmin tonë”, ka nënvizuar Haziri.
Ai ka potencuar se, mëkatet politike janë shumë të mëdha dhe se ato e shuajnë perspektivën duke e kthyer Kosovën nga një djep të atdhetarisë në një varrezë masive të ëndrrave dhe shpresave të rinisë.
Sipas tij, koha e humbur është kohë e çmuar për Kosovën, në veçanti kur po humbet pjesën ma vitale të popullit.
“Ne duhet të kemi respekt për moshën e rritur, por një vend ku nuk dëgjohen “Ninullat” dhe një vend ku mungon rinia, mungon gëzimi, kënaqësi e hareja, mungon zhvillimi dhe forcimi, andaj ndryshimet janë të domosdoshme, por të jenë esenciale, përmbajtjesorë. E keqja nuk vjen nga politika, por nga një sistem i instaluar pa llogaridhënie dhe ku secili pushtet paraqitët pashallëk ne veti, sikur që Kosova të mos kishte Kushtetutë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike në vend Ismet Haziri.