Si po ‘vuan’ ekonomia ruse pas sanksioneve ‘shkatërruese’ të Perëndimit?

Nuk mund të flitet më për ekonomi tregu në Rusi që pas momentit kur Perëndimi vendosi sanksione duke ndërprerë marrëdhëniet e bankës qendrore të saj me tregjet e kapitalit dhe duke ngrirë qindra miliarda dollarë të rezervave të saj në këtë proces, si përgjigje e pushtimit në Ukrainë.

Pyetja që lindi natyrshëm ishte ajo që do të vinte më pas: Si do të kërkonte Kremlini të zbuste ndikimin shkatërrues ekonomik që e ka vendosur Rusinë në rrugën e kthimit drejt trazirave ekonomike të viteve 1990?

Tani, përgjigjja është e qartë: Putini po i kthehet një histerie të njohur dhe po ndërton një ekonomi komanduese. Nga ekonomia autokratike e tregut te komanda autarkike

Rusia konsiderohej një vend me ekonomi tregu të paktën që nga fillimi i viteve 2000. Kremlini i drejtuar nga Vladimir Putin ka pasur kontroll të gjerë mbi shumicën e aktiviteteve ekonomike që nga fillimi.

Shteti filloi të monopolizojë shpërndarjen e fitimeve në sektorin energjetik në Rusi menjëherë pas ardhjes në pushtet të Putinit.

Në 2003/2004, Putin “kapi” kompaninë e atëhershme më të madhe të naftës në vend, Yukos, shkruan Al Jazeera.

Shërbimet e sigurisë tërhoqën nga “loja” në mënyrë dramatike aksionarin më të madh të Yukos dhe individin më të pasur të Rusisë, Mikhail Khodorkovsky, duke e marrë në mes të natës nga një avion privat, dhe akuzuar për korrupsion.

Kremlini më pas transferoi asetet më të vlefshme të Yukos në kompaninë shtetërore të naftës, Rosneft, ku Putini kishte vendosur si kryetar këshilltarin e tij, Igor Sechin.

Khodorkovsky, i cili kaloi gati një dekadë në burg, u fal përfundimisht nga Putin në vitin 2013 dhe tani po jeton në mërgim në Londër.

Që prej rënies së Yukos, Rosneft dhe gjiganti shtetëror i gazit Gazprom kanë dominuar ekonominë energjetike të Rusisë.

Kjo e fundit në veçanti shërbeu si një mjet për të shpërndarë fitimet midis “fisnikërisë së re” që Putini ndërtoi nga radhët e aleatëve të tij në shërbimet e sigurisë.

Por gjatë gjithë kësaj kohe sipërmarrja private mbeti ende si një mundësi ekonomike në vend.

Bashkëpunëtorët e Putinit vazhduan të ndërtonin kompanitë kryesore të gazit natyror të lëngshëm, Novatek dhe Sibur.

Ata që ishin pa lidhje politike rrallë arrinin larg, por disa shembuj të tillë si shitësi me pakicë Magnit ende shkëlqenin ne këtë fushe.

Megjithatë, në vitet e fundit, edhe ato histori të pakta të kompanive private qe kishin arritur sukses e gjetën veten nën presion për t’i shitur bizneset e tyre tek shteti.

Grackat e ekonomisë së Putinit pas pushtimit

Pas pushtimit të Ukrainës, dhe sanksioneve pasuese, bizneset shumëkombëshe që kanë kohë që i shërbejnë klasës së mesme të Rusisë me një bazë të gjerë produktesh filluan të largohen nga vendi një nga një. Edhe prodhuesit e cigareve tani po tërhiqen.

Ndërkohë, rusët e gjetën veten kryesisht të bllokuar, mijëra fluturime janë anuluar dhe shumë udhëtime jashtë vendit janë pezulluar për një kohë të pacaktuar.

Nxjerrja e parave jashtë Rusisë është po aq e vështirë, pas ndalimit të Kremlinit për shumicën e shkëmbimeve valutore dhe eksportet e valutës.

Dhe hapat që Kremlini ndërmori përballë një kolapsi ekonomik të afërt e bënë të qartë se ai nuk ka ndërmend të ruajë ekonominë e tregut të Rusisë.

Vetëm katër ditë pas fillimit të “operacionit special ushtarak” në Ukrainë, shteti ne Rusi mori kontrollin e plotë të 80 për qind të fitimeve të huaja të korporatave dhe në javët që pasuan kjo është thelluar.

Kremlini tani po nacionalizon bizneset që po tërhiqen nga vendi, duke e bërë të pamundur që Rusia të vazhdojë si një ekonomi tregu edhe pas përfundimit të luftës së Putinit në Ukrainë.

Moska prezantoi gjithashtu çmime fikse në sektorët e metaleve dhe minierave, ku Norilsk Nickel dhe Rusal ishin firmat e para që njoftuan një lëvizje të tillë më 24 mars.

Një normë fikse për blerjet e arit është futur gjithashtu: 5,000 rubla (52 dollarë) për gram. Kjo nuk është shumë larg nga vlera aktuale, por vjen pak para një periudhe të pritshme turbulence për rublën: Kremlini kohët e fundit u ka kërkuar importuesve evropianë të gazit natyror të paguajnë për furnizimet ruse në rubla dhe jo në dollarë amerikanë ose euro, siç përcaktohet me kontratë.

Kremlini i Putinit duket se e sheh zgjerimin e kontrollit të shtetit mbi ekonominë si një “ilaç për të gjitha problemet e tij”.

Valentina Matvienko, kryetare e dhomës së lartë të parlamentit rus dhe një aleate e ngushtë e Presidentit Putin, e tha së fundmi hapur teksa diskutohej për veprimtarinë hekurudhore të vendit, duke deklaruar se operatorët privatë tani duhet të fillojnë të punojnë për shtetin në vend që të mendojnë vetëm për të fituar para për vete.

Ndërsa diskutoi të ardhmen e shërbimeve hekurudhore, Matvienko e përshkroi gjithashtu sistemin aktual të komandës së Rusisë si një “ekonomi mobilizimi”.

Siç shpjegoi analisti Nick Trickett në një artikull së fundi ne internet, Kremlini tani po kërkon të ndërtojë një ekonomi që nuk do të “ndikohet nga nivelet e jashtme të çmimeve për mallrat”.

Për ta arritur këtë, veçanërisht me një rubla në mënyrë dramatike më të dobët, Kremlini do të duhet jo vetëm të ndërtojë një ekonomi komanduese, por gjithashtu të ketë kontroll të plotë politik mbi çmimet.

Kjo do të thotë se bizneset nuk do të konkurrojnë për çmimin apo cilësinë, por në bazë të lidhjeve të tyre me Kremlinin dhe politikëbërësit e tjerë ekonomikë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT