Ultimatumi rus për karburantet/ Gjermania reagon ashpër ndaj Putin: Nuk na shantazhoni dot!

Presidenti Rus Vladimir Putin lëshoi një ultimatum sot për Perëndimin, duke thënë se shtetet e konsideruara si “jo-mike” do duhet të paguajnë gazin dhe naftën ruse me rubla, ose ndrysho kontratat e tyre do të ndërpriten.
Në përgjigje të lëvizjes së Rusisë, ka reagua dhe Gjermania, një nga vendet kryesore për furnizimin me gaz dhe naftë ruse.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz deklaroi sot se vendet perëndimore do të vazhdojnë të paguajnë për gazin rus në euro ose dollarë, pavarësisht kërcënimit të Kremlinit për të ndërprerë furnizimet që nuk paguhen në rubla.
“Ne shikuam kontratat për dërgesat e gazit”, -u tha Scholz gazetarëve në Berlin.
“Ato thonë se pagesat bëhen në euro, ndonjëherë në dollarë… dhe unë e bëra të qartë në bisedën time me presidentin rus se kështu do të mbetet”, tha ai duke iu referuar një bisede telefonike me Vladimir Putin të mërkurën.
Me heret Robert Habeck, ministri i ekonomisë, theksoi se nuk do të lejojnë që të shantazhohen nga Putini. Ai tha se aleatët me të cilët ai ka folur besojnë se kontratat ekzistuese të gazit duhet të respektohen, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Ai shton se ende nuk ka parë ndonjë faturë të re gazi nga Rusia dhe këmbëngul se ata janë të përgatitur për çdo gjë që Putini mund të vendosë për gazin.
Gazi rus përbën rreth 40% të importeve të gazit natyror të BE-së, me Gjermaninë klientin më të madh./m.j