Arrestimi i ish-deputetit Alqi Bllako/ Konfirmon SPAK: Vendimi është ekzekutuar në orën 03:30

SPAK ka konfirmuar ditën e sotme se arrestimi i ish-deputetit Alqi Bllako është ekzekutar në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Në detajet e informacionit zyrtar bëhet me dije se vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit rreth orës 03:30 të datës 01.04.2022.
Kujtojmë që Alqi Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
“Me vendimin Nr.26, datë 31.03.2022, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako. Vendimi është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme në orën 15.30 të datës 31.03.2022.
Në orën 15.45, të datës 31.03.2022, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022.“- njofton zyrtarisht SPAK./Gazeta Shqip