Pse Putin kërkon që pagesa e gazit rus të bëhet në rubla!

Vladimir Putin ka kërkuar që pagesa për gazin rus, të shitur drejt vendeve “jomiqësore”, të bëhet në monedhën vendase, pra në rubla, duke vendosur një afat deri më 31 mars.
Pse pagesa për eksportet ruse në rubla është bërë një çështje kryesore për Kremlinin dhe a po planifikon Putin ta zgjerojë planin duke përfshirë eksportet e naftës, grurit, plehrave, qymyrit, metaleve dhe mallrave të tjera kryesore?
Pse Putini dëshiron pagesën në rubla?
Pas pushtimit rus, vlera e rublës ra në mënyrë të frikshme. Ajo ra nga rreth 85 në euro vitin e kaluar në 110 ndërsa tanket kaluan përtej kufijve të Ukrainës. Me tregtimin e rublës në nivele kaq të ulëta, eksportet ruse do të sillnin më pak para për të subvencionuar shërbimet shtetërore dhe financuar luftën sesa pritej më parë.
Rubla me vlerë më të lartë jo vetëm që do të sjellë më shumë para, por është gjithashtu një çështje krenarie. Vendet do të detyrohen të paguajnë për eksportet ruse në monedhën ruse. Dhënia e rëndësisë rublës do t’i lejonte Moskës të sfidonte dominimin e SHBA-së, nëpërmjet dollarit, në tregjet globale të parasë, megjithëse nuk është e qartë pse Kina do ta mbështeste një plan të tillë.
Disa analistë kanë spekuluar gjithashtu se dollarët dhe eurot janë më pak të dobishme për Moskën, ndërkohë që sanksionet janë duke u shtrënguar. Për shembull, pa akses në dollarë dhe euro nëpërmjet shkëmbimeve ndërkombëtare, Rusia po propozon gjithashtu të paguajë interesin për borxhet e saj në euro me rubla.
Cilat vende pret Putini që të paguajnë për gazin në rubla?
Lista e Rusisë e vendeve “jomiqësore” korrespondon me ato që kanë vendosur sanksione. Marrëveshjet me kompani dhe individë nga ato vende duhet të miratohen nga një komision qeveritar. Vendet përfshijnë SHBA-në, shtetet anëtare të BE-së, Britaninë e Madhe, Japoninë, Kanadanë, Norvegjinë, Singaporin, Korenë e Jugut, Zvicrën dhe Ukrainën. Disa, përfshirë SHBA-në dhe Norvegjinë, nuk blejnë gaz rus.
Sa të mëdha janë eksportet ruse në BE?
Në vitin 2020, BE-ja ishte partneri kryesor tregtar i Rusisë, duke përbërë 37.3% të tregtisë totale. Ndërkohë, Rusia ishte partneri i pestë më i madh tregtar i BE-së, duke përfaqësuar 5.8% të tregtisë totale të bllokut. Megjithatë, gazi rus është primari i atyre importeve, shumica e të cilave paguhen në dollarë, euro ose stërlina. Në terma praktike, ndërsa importet e gazit në BE nga Rusia janë të paqëndrueshme, ato përbëjnë deri në 800 milion € (680 milion £) shpenzime çdo ditë.
Si e ka ushtruar Putini ndikimin e tij?
Nuk mjaftoi që banka qendrore e Rusisë bleu rubla për të mbështetur monedhën në periudhën e saj më të keqe pas pushtimit. Një ndalim efektiv nga banka qendrore për të përdorur sistemin e pagesave Sëift nënkuptoi se ky ngërç nuk mund të zgjaste.
Banka qendrore donte të shiste investime në dollarë dhe euro për të blerë rubla, duke rritur kërkesën dhe rrjedhimisht çmimin, por pa akses në Sëift nuk ishte në gjendje të vazhdonte. Tani Kremlini po shqyrton planet që të gjitha shitjet e eksportit të jenë në rubla, duke shfrytëzuar monopolin e tij pothuajse në lëndët e para thelbësore në proceset e prodhimit, nga plehrat kimike tek makinat.
A mund të dështojë plani?
Nëse Kremlini këmbëngul që kontratat aktuale në euro dhe dollarë të ndryshohen në rubla, ato do të jenë në kundërshtim me protokollet ndërkombëtare. Kjo është diçka që Gazprom nuk e ka përdorur as gjatë luftës së ftohtë kur tensionet u rritën midis Bashkimit Sovjetik dhe perëndimit.
Gjermania ka thënë se është e përgatitur të racionojë furnizimet me energji në vend që të paguajë gazin në rubla, gjë që ka të ngjarë të zhysë ekonominë më të madhe të BE-së në recesion, por t’i mohojë Rusisë paratë shtesë. Lëvizja e Kremlinit gjithashtu ka të ngjarë të shpejtojë largimin nga mallrat ruse, duke shtuar rënien drastike tashmë të ekonomisë së vendit./M.K/dritare.net