U zhduk pa lënë gjurmë në 2015/ Eshtrat në Kurbin mund të jenë të adoleshentit, u nis për shkollë dhe…

Pas gjetjes së kafkës dhe eshtrave ditën e djeshme në Kurbin, policia është vënë në lëvizje për të zbuluar se kujt i përkasin.
Pritet kryerja e testit të ADN-së për të zbuluar se kujt i përkasin. Sipas dyshimeve të para, policia thotë se mund të bëhet fjalë për një adoleshent të zhdukur 7 vite më parë në Mamurras.
Eshtrat mund t’i përkasin 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, të zhdukur disa vite më parë në këtë zonë. Të parët që do t’u merren mostrat e AND-së janë pikërisht familjarët e Gjonajt për të vërtetuar nëse eshtrat i përkasin adoleshentit, të cilit nuk iu gjet asnjë gjurmë që prej majit të vitit 2015, kur ishte nisur për në shkollë në Mamurras.
Historia plot mister
Familjarët e Mariglen Gjonajt denoncuan zhdukjen e tij në maj të vitit 2015.
Ata thanë se nuk kishin kontakt me të birin, i cili ishte nisur për në shkollë si normalisht dhe nuk ishte kthyer më.
Familjarët deklaruan atëhere në polici se kishin frikë se dikush mund t’i ketë bërë keq të riut pasi ditën e zhdukjes ka patur me vete një orë të shtrenjtë “Roleks” si edhe disa bizhuteri, të cilat kapnin vlerën e 1 milion lekëve të rinj.