“Falsifikim monstruoz”/ Kremlini vazhdon me justifikimet: Pamjet e civilëve të masakruar në Bucha nuk janë të vërteta

Kremlini ka këmbëngulur edhe këtë të marte se pamjet e civilëve të masakruar nuk janë të vërteta dhe se janë të falsifikuara nga ana e Ukrainës.
Rusia pretendon forcat e saj janë të pafajshme për vrasjet që shkaktuan dyshime për krime lufte. Kremlini theksoi se pretendimet perëndimore se trupat e tij kishin ekzekutuar civilë në qytetin ukrainas të Buchas ishin një “falsifikim monstruoz” që synonte denigrimin e ushtrisë ruse.
Perëndimi nga ana tjetër thotë se civilët e vdekur janë dëshmi e krimeve të luftës. Fotografitë tregojnë trupa të pajetë të shtrirë në rrugët e qytetit.
Por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i hoddi poshtë të gjitha akuzat teksa tha: “Është thjesht një shfaqje e drejtuar mirë, por tragjike.”
“Është një falsifikim që synon denigrimin e ushtrisë ruse dhe nuk do të funksionojë. Ne i bëjmë thirrje edhe një herë komunitetit ndërkombëtar: Shkëputuni nga perceptimet e tilla emocionale dhe mendoni me kokën tuaj. Krahasoni faktet dhe kuptoni se me çfarë falsifikimi monstruoz kemi të bëjmë”, tha ai.
Pas Buchas, mediat e huaja kanë raportuar se në Borodyanka janë gjetur trupat e mbi 200 civilëve të vdekur nga sulmet e trupave ruse.