Koreja e Veriut kërcënon: Nëse na sulmoni do ‘përgjigjemi’ me armë bërthamore

Penjani do shënjestrojë Korenë Jugore me “artielrinë e saj bërthamore” nëse sulmohet, ka paralajmëruar Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit, Kim Jong Un.
Mediat shtetërore të Koresë së Veriut kanë publikuar lajmin ditën e djeshme, duke “u mburrur” me armët që zotërojnë.
“Në rast se Koreja Jugore synon përballje ushtarake me ne, forca jonë bërthamore do të duhet të kryejë detyrën e vet”, ka thënë Kim Yo Jong, sipas deklaratës së publikuar nga KCNA.
Motra e liderit verikorean, e cila është një zyrtare me ndikim në Partinë Popullore, ka thënë se Koreja Veriore nuk do të niste kurrë e para sulmin, por gjithçka do të vijë si kundërpërgjigje ndaj një ulmi nga jugu..
“Mirëpo nëse Koreja Jugore, për çfarëdo arsye, synon veprim ushtarak, siç janë masat ‘parandaluese’, të përmendura (nga ministri i Mbrojtjes, Suh Wook), situata do të ndryshojë”, ka thënë ajo. “Në atë rast, vetë Koreja Jugore do të kthehet në shënjestër”.
Të premten, ministri i Mbrojtjes në Korenë Jugore, Suh Wook, ka thënë publikisht se forcat e armatosura të Seulit kanë kapacitet për të sulmuar “me saktësi dhe shpejt” pikën e nisjes së raketave të Penjanit, në momentin që ka shenja të qarta të ndonjë sulmi në Korenë Jugore.
Sulmet verbale të Koresë Veriore kundër anëtarëve të Qeverisë jugkorene nuk janë të pazakonshme. Seuli zyrtar ka raportuar shpesh herë sulme në kufirin mes dy vendeve, ndërkohë përshkallëzimi ushtarak i konfliktit Rusi-Ukrainë ka rritur frikën për të njëjtin skenar.