Haradinaj si Yuri Kim, vjen në Tiranë dhe takon Alibeajn si përfaqësues të Partisë Demokratike

Kryetari i AKK-së, Ramush Haradinaj dhe delegacioni i tij gjatë vizitës së tyre në Tiranë janë ndalur për të zhvilluar një takim zyrtar edhe me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
Ka qenë Alibeaj ai i cili ka publikuar foto nga takimi me Haradinajn, ku të pranishëm kanë qenë dhe disa deputetë të Partisë Demokratike. Bie në sy se edhe Haradinaj ashtu si Yuri Kim, njeh Alibeajn dhe të tjerët si përfaqësues të PD-së, dhe jo grupimin e Berishës.
Alibeaj shkruan se biseda e kishte fokusin te axhenda e përbashkët për të çuar në njohjen finale të pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet.
“Kënaqësi të mirëprisnim në një takim vëllazëror kolegët e grupit parlamentar të Partisë për Ardhmërinë e Kosovës, kryesuar nga kryetari Ramush Haradinaj.
Në bisedën e përfaqësuesve të dy grupeve tona u vlerësua bashkëpunimi miqësor mes dy parlamenteve dhe veçanërisht marrëdhëniet e ngushta mes grupit të PD dhe AAK.
Ndamë sëbashku nevojën e forcimit të këtyre marrëdhënieve si dhe fokusimin e gjithë axhendës së përbashkët për të çuar në njohjen finale të pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet.
Gjithashtu në bisedë u vu theksi tek nevoja e përbashkët për të ruajtur qartësisht rrugën e integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan Alibeaj.
Kujtojmë se ditën e sotme Enkelejd Alibeaj zhvilloi një takim edhe me ambasadoren Yuri Kim, e cila e njohu atë si kryetarin e Komanduar të Partisë Demokratike.