Organizoi vrasjet dhe përdhunimet masive, “Kasapi i Bucha”-s u bekua pak para luftës në Ukrainë: Historia tregon se ne luftojmë… (FOTO)

Një komandant rus i quajtur “Kasapi i Bucha”-s është akuzuar për kryerjen e mizorive në këtë qytet dhe krimet e luftës në Ukrainë, duke zbatuar urdhrin e presidentit, Vladimir Putin.
“Daily Mail” ka nxjerrë në dritë detaje të reja në lidhje me nënkolonelin, Azatbek Omurbekov, komandant i Brigadës së 64. Ai është bekuar nga Kisha Ortodokse në fund të vitit të kaluar dhe shkruante: “Historia tregon se ne luftojmë shumicën e betejave tona me shpirtrat tanë”.
Kujtojmë se ditët e fundit janë publikuar në media imazhet e tmerrshme të atyre që pretendohet se janë masakra civile, të kryera nga forcat e Rusisë në Bucha.
Këto pamje që kanë tronditur opinionin publik në mbarë botën kanë bërë që vendet perëndimore të dëbojnë dhjetëra diplomatë të Moskës dhe të propozojnë sanksione të mëtejshme, duke përfshirë ndalimin e qymyrit, importet nga Rusia.
“Ushtarët rus kanë vrarë të gjithë burrat nën 50 vjeç”, ka thënë një vendas i quajtur Mykola për korrespondentin e ABC News, James Longman. Sipas tij, ata i kishin dhënë vetëm 20 minuta kohë për të varrosur miqtë e tij.
Por nga ana tjetër, Kremlini i ka mohuar akuzat dhe pretendon se imazhet e civilëve ishin “një falsifikim i papërpunuar” i inskenuar nga vetë ukrainasit.
Omurbekov, i cili mendohet të jetë rreth 40 vjeç, iu dha një medalje për shërbimin e jashtëzakonshëm në 2014 nga Dmitry Bulgakov, zëvendësministri rus i Mbrojtjes, ndërkohë që tani akuzohet për organizimin e përdhunimit, plaçkitje dhe vrasje të qindra civilëve ukrainas.
Sipas InformNapalm, një iniciativë vullnetare ukrainase që monitoron aktivitetet e ushtrisë ruse dhe shërbimeve speciale, thuhet se Omurbekov u bekua nga një prift ortodoks në nëntor të vitit të kaluar përpara se të vendosej në Ukrainë.
Sipas ligjit ndërkombëtar, një komandant ushtarak është përgjegjës për çdo krim lufte të kryer nga trupat e tij. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vendos për mosmarrëveshjet midis shteteve, por nuk mund të ndjekë penalisht individët.
Nëse GJND-ja do të vendoste kundër Rusisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të ishte përgjegjës për zbatimin e kësaj. Por Moska mund të vërë veton ndaj çdo propozimi për ta sanksionuar atë si një nga pesë anëtarët e përhershëm të këshillit.