“Urgjente hapja e negociatave me Shqipërinë”/ Ministri Austriak paralajmëron BE-në: Rusia i ka hedhur sytë nga Ballkani

Ministri i Jashtëm austriak i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të hapë sa më shpejt negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin.
Alexander Schallenberg, gjatë një konference donatorësh të organizuar në Berlin për të ndihmuar Moldavinë për pritjen e refugjatëve ukrainas, deklaroi se Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina, por edhe nga Kaukazi jugor, nga Ballkani Perëndimor, dhe nga Republika e Moldavisë.
“Unë pres që kjo të bëhet ende nën presidencën franceze”, tha Schallenberg, ndërsa presidenca franceze mbaron mandatin në qershor.
Po ashtu ministri i Jashtëm austriak, Schallenberg ka kërkuar që të liberalizohen vizat sa më shpejt me Kosovën.
“Kosova edhe Bosnje-Hercegovina duhet të marrin po ashtu një perspektivë anëtarësimi. Bëhet fjalë nëse këto gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor do të mbeten në rrugën europiane të demokracisë e lirisë apo jo”- tha Schallenberg duke kujtuar influencën e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera në rajon.
“BE nuk duhet të harrojë, se procese të mëparshme anëtarësimi kanë çuar në forcimin e zhvillimeve demokratike tek vendet e sotme anëtare”, tha Schallenberg.
“Pa anëtarësimin në BE, vendet europianolindore sot ndoshta do të ishin në një gjendje tjetër edhe më të vështirë”, u shpreh Schallneberg.