Masakra më e madhe deri më tani në Ukrainë/ Po rusët çfarë dinë për ngjarjet në Bucha?

Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, Kremlini ka nisur një fushatë ‘propagande’ duke eliminuar çdo zë kundër “operacionit special” të ndërmarrë nga Vladimir Putin.
Teksa vrasja e mbi 400 civilëve në qytetin periferik të Kievit, Bucha, u cilësua si një ndër masakrat më të rënda deri më tani në Ukrainë, Moska zyrtare hedh poshtë akuzat, ndërsa vijon me retorikën se gjithçka është e inskenuar.
Kremlini i mohon të gjitha, pamjet e trupave të shtrirë në rrugë, varret masive dhe dëshmitë e tmerrshme të dëshmitarëve. Dhe televizionet shtetëror përsërisin narrativën e qeverisë.
Duket se rusët jetojnë në një “botë paralele”. Për ta nuk ka luftë, vetëm ushtarë heroikë rusë që mbrojnë atdheun, duke u kujdesur për të shmangur shënjestrimin e civilëve.
Pamjet e tmerrshme nga Bucha janë transmetuar, por shikuesve u thuhet se skenat e tmerrshme janë inskenuar nga zyrtarë ukrainas, me ndihmën e Perëndimit, raporton BBC.
“Kjo është bërë nga profesionistë, ndoshta britanikë. Ata janë më të mirët në fushën e operacioneve të informacionit,” tha komentatori Gevorg Mirzaryan. “Ata dinë se si t’i vendosin trupat në mënyrë korrekte, të bëjnë gjithçka në mënyrë korrekte, të krijojnë një pamje të bukur për ndërgjegjen perëndimore.”
Prezantuesja e emisionit të bisedave Olesya Loseva madje sugjeroi se qyteti i Bucha ishte zgjedhur qëllimisht sepse presidenti Joe Biden kishte përdorur së fundmi fjalën kasap për të përshkruar Vladimir Putin, kështu që “për amerikanët kjo fjalë duhet të jetë e qartë”.
Kjo është një taktikë klasike e Kremlinit përballë akuzave të tilla, mohoni, hidhini poshtë si ngjarje të rreme dhe, nëse është e mundur, fajësoni dikë tjetër.