Lideri çeçen sulmon ASHPËR zëdhënësin e Putin: Na përdorët në Ukrainë si xhihadistë

Si duket marrëdhëniet mes të besuarëve të Putinit dhe bashkëpuntorëve të tij kanë filluar të krisen. Së fundmi lideri çeçen, Ramzan Kadyrov ka sulmuar ashpër zëdhënësin e Kremlinit, Dimitry Peskov.
Ai e ka akuzuar atë për pabesi, duke pretenduar se është pikërisht ai që ka komplotuar për të marrë kontrollin e elitës së sigurisë ruse.
“Shkalla e prioriteteve të vendosura nga Peskov është e papranueshme dhe ne duhet të bëjmë diçka për këtë.”, tha ai, duke shtuar se i kanë përdorur luftëtarët çeçen si xhihadistë në luftën me Ukrainën.
Gjithashtu ai tha se Peskov nuk kishte arritur që ta uronte atë për gradimin e gjeneral-letnant, gradë të cilën e kishte marrë nga vetë presidenti rus, Vladimir Putin.
Peskov ka vite me Putinin, i përket rrethit më të ngushtë të bashkëpunëtorëve të tij dhe deri më tani askush nuk e ka sulmuar kështu. Kadyrov kritikoi gjithashtu edhe Vladimir Medinsky, kreun e delegacionit të Kremlinit në bisedimet me Ukrainën , lidhur me njoftimin e tij për tërheqjen nga rajoni i Kievit. Kadyrov sugjeroi që goja e Medinskit të mbyllej me shirit.
Times e Londrës citon një sinjalizues nga shërbimet ruse të sigurisë, i cili pretendon se Kadyrov, i pushtuar nga lufta, guxoi të diskreditonte krerët e këtyre shërbimeve. Dhe ai beson se nuk është e pamundur që Putini ta lejojë atë të marrë përsipër një pjesë të atyre punëve. Tatjana Stanovaja nga qendra e Carnegie Moskës nuk e konsideron realiste. “Problemi i Kadyrov është për Kremlinin, po. Por Putini thjesht duhet ta ftojë atë në Kremlin dhe t’i thotë se ka vija të kuqe që ai nuk mund t’i kalojë. Ai është i zënë me gjëra të tjera tani. Ndërsa Putini është i fortë, nuk është një problem i madh për të”, tha ajo.
Ajo gjithashtu tha se shumë brenda elitës ruse duan një fund të luftës, por nuk mund të pritet asgjë që të bëhet për ta realizuar atë.