Arrestimet në Morinë/ Rama përgëzon SPAK e SHÇBA: U godit një çerdhe të korruptuarish në polici. Kjo frymë bashkëpunimi të vazhdojë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas finalizimit të operacionit të SPAK në Pikën Kufitare të Morinës.
Në një postim në faqen e tij në Facebook, kreu i qeverisë përgëzon bashkëpunimin mes Prokurorisë së Posaçme dhe SHÇBA, duke e cilësuar operacionin që çoi në arrestimin e dhjetëra policëve si shembullor.
“Përgëzime SHÇBA-së dhe SPAK-ut për operacionin shembullor të goditjes së një çerdheje të korruptuarish në Policinë e Shtetit! Uroj që kjo frymë e cilësi bashkëpunimi të vazhdojë në funksion të fshirjes së çdo njolle që ndot uniformën e policisë”, shkruan Rama.
Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”./m.j