SHBA sanksionoi ish-deputetin Aqif Rakipi, reagon Lulzim Basha: Koha na dha prapë të drejtë!

Ish-kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh deputeti Lulzim Basha, ka reaguar ditën e sotme lidhur me shpalljen non-grata të ish-deputetit Aqif Rakipi nga ana e SHBA-ve.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se koha i dha të drejtë të gjitha denoncimeve të bëra nga ana e Partisë Demokratike, teksa e konsideron Rakipin dhe disa personazhe të tjerë si bedelët e kryeministrit Rama.

“Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim.”– shkruan Basha në “Facebook”.

Posim i plotë:

Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim.

Në argumentimin nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për sanksionet ndaj Aqif Rakipit theksohet:

“Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”. Ky paragraf tregon se si i “fitoi” zgjedhjet Edi Rama në 2017 dhe në 2021.

Kriza në të cilën ndodhet sot Shqipëria, është pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor, që dje u konfirmua edhe nëpërmjet sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse këtë duhet ta kishin bërë organet ligjzbatuese shqiptare, ai është një lajm i mirë që partneri ynë strategjik SHBA është fokusuar në luftën kundër korrupsionit që po minon demokracinë dhe po shkatërron mirëqenien e shqiptarëve./ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT