Kosova NDALON eksportin e produkteve bazë; Po me Shqipërinë?

Qeveria e Kosovës ditën e sotme gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar ka mirtuar propozim-vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksporteve të produkteve të para.
Sipas ministres së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdar, ky vendim është marrë pas krizës që ka goditur botën dhe përmes këtij vendimi synojnë që të sigurojnë furnizim të mjaftueshëm për qytetarët me produktet bazë, si, gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.
“Sado eksport i vogël të jetë mund të rrezikojmë tutje furnizimin e popullatës sonë në të ardhmen. Prandaj për të lehtësuar gjendjen propozojmë ndalimin e eksportit dhe të ri eksportit për disa produkte ushqimore. Vendimi i propozuar ndalon eksportin dhe ri eksportin e drithërave, miellit, vajit ushqimor, kripës dhe sheqerit”, ka thënë Hajdari.
Kryeministri Albin Kurit tha se ky vendim ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve në vend.
“Agresioni rus dhe invazioni në Ukrainë kanë ndikuar në zingjirin e furnizimit të produkteve agro-ushqimore në Evropë. MINT me institucionet përkatëse dhe akterët në treg ka përcjell rritjen e çmimeve dhe evidencën e eksportit të mallrave. Si rezultat i të dhënave nga terreni do sjellim ndalimin e përkohshëm eksportit dhe të ri eksportit të disa produkteve ushqimore”, tha Kurti.
Ndërkohë, nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me vendin tonë, pasi Kosova eksporton miell edhe në Shqipëri.