Braçe ‘sulmon’ Autoritetin e Konkurrencës: Ka abuzim, bordi nuk po bën të qartë asgjë

Deputeti Erion Braçe ka dalë sërish kundër qeverisë, teksa këtë herë ka ‘sulmuar’ Autoritetin e Konkurrencës, të ngritur për të menaxhuar çmimet në treg.
Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë, Braçe tha se qytetarët po paguajnë sot më shumë për shkak të abuzimeve në treg, dhe për këtë arsye ai kërkon më shumë transparencë prej tyre.
“Funksionimi i bordeve ka nxjerr ne pah se veç inflacionit të importuar ne po paguajmë edhe për abuzimet për mosfunksionimin e tregjeve. tregu i orizit, vajit, sheqerit vetëm nga disa kompani me çmim të unifikuar. Nuk ka konkurrencë. Ende bordi nuk po bën të qartë të gjithë transaksionet. Nga blerja në bursë dhe deri në shitjen e stacioneve të pompimit të naftës. Në bursë nuk blihet sot për nesër. Blihet për 1 muaj, 3 muaj, 6 muaj. Pra, ka abuzime sepse shitet me çmimin korrent“- tha ai.
Më shumë kontroll Braçe ka kërkuar edhe për tregun e plehrave kimikë, ku 3 kompani u gjobitën pak ditë më parë nga Autoriteti i Konkurrencës, por masa ndaj tyre është pezulluar pasi ndërmarrjet kanë çuar çështjen në gjykatë.
“Për aq kohë sa ka mbështetje politike do shkojnë në gjykatë e sa kohë që qeveria nuk merr masë, pa diskutim që në gjykatë të shkojnë, madje me gjykatat që kemi ne të marrin edhe të drejtë. Abuzimi është skandaloz edhe pse s’kanë importuar asnjë gram nga nisja e luftës në Ukrainë“, shprehet Braçe.