Rusia kërcënon me vendosjen e armëve bërthamore, nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen NATO-s

Një nga aleatët më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin paralajmëroi NATO-n këtë të enjte se nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA, atëherë Rusia do të duhet të forcojë mbrojtjen e saj në rajon, duke përfshirë vendosjen e armëve bërthamore.
Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë, dhe Suedia po shqyrtojnë anëtarësimin në aleancën e NATO-s. Finlanda do të marrë një vendim në javët e ardhshme, tha të mërkurën kryeministrja Sanna Marin.
Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se nëse Suedia dhe Finlanda hyjnë në NATO, atëherë Rusia do të duhet të forcojë forcat e saj tokësore, detare dhe ajrore në Detin Baltik.
Medvedev gjithashtu ngriti në mënyrë eksplicite kërcënimin bërthamor duke thënë se nuk mund të flitet më për një Baltik “pa bërthamor” – ku Rusia e ka enklavën e saj të Kaliningradit të vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë.
“Nuk mund të flitet më për ndonjë status pa armë bërthamore për Balltik – ekuilibri duhet të rivendoset,” tha Medvedev.
“Deri më sot, Rusia nuk ka marrë masa të tilla dhe nuk do të merrte”, tha Medvedev. “Nëse dora jonë është e detyruar… kini parasysh se nuk ishim ne që e propozuam këtë,” shtoi ai.