Bravo imzot Frendo!

Nga Jorgo Mandili

“Deri sa të jem unë, kisha katolike nuk hapet për politikanët”, deklaroi në një intervistë para tre vjetësh me Ilva Taren, Ipeshkvi i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës.

Një veprim që është për të përshëndetur se e mbajti fjalën. Edhe këtë vit, kryeshtetari, kryeqeveriu, kryeopozitari e shumë zyrtarë të tjerë të lartë nuk guxuan të bënin ritualin e përvitshëm dhe hipokrit të vizitave në “Shtëpinë e Zotit”, për t’i ndyer muret e saj, ashtu siç kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë me “Tempullin e Unitetit”- presidencën, Tempullin e Fjalës së Popullit”- parlamentin, “Tempullin e Drejtësisë ”- gjyqësorin.

Lënë shije të keqe dhe neveritje qëndrimet e shëmtuara të tyre me deklaratat dhe urimet për popullin në emër të Zotit, të këtij populli që vetë këta “Djaj” politikë e kanë lënë në varfëri, e kanë vjedhur, vrarë, skllavëruar dhe poshtëruar.

Ky veprim i kishës katolike duhet të shërbejë si shembull për të gjitha institucionet e tjera fetare apo publike të “pavarura” që të mos bëhen servilë të politikës por të frymëzohen edhe nga veprimi më i fundit i imzot Frendos që u bëri apel këtyre politikanëve e pushtetarëve që të “mos e çojnë vendin në vetëvrasje të kombit”, nëpërmjet pasurimit të tyre të pandershëm, të heqin dorë nga babëzia e lakmia për pushtet para e famë, të luftojnë korrupsionin, kriminalitetin e dhunën, të përkushtohen dhe të jenë më seriozë e më të përgjegjshëm për hallet e problemet e njerëzve.

Një akt i lartë moral që duhet përshëndetur dhe përkrahur nga të gjitha institucionet fetare e laike për të mos prodhuar shëmti e neveritje në popull.

Besoj, ju kujtohet pompoziteti dhe teatraliteti i këtyre “djajve-engjëj”. Çdo njeri, i ka përcjellë me neveri pamjet televizive të krerëve të lartë të shtetit dhe të partive në ritualin hipokrit të urimeve për festat fetare. Të kollarisur, të veshur “shik”, me hap triumfues dhe me një farë deliri shkonin drejt “Shtëpisë së Zotit”, ku në hyrje i prisnin me nderime “përfaqësuesit e lartë të Zotit” në Tokë. Pas ritualit të zakonshëm me shtrëngime duarsh e përqafime të përzemërta dilnin jashtë ku i prisnin një tufë gazetarësh. E të krekosur jepnin mesazhe paqësore, këshilla morale, emetonin urtësi e humanizëm duke perifrazuar Biblën apo Kur’anin.

Të dukej se kishin zbritur engjëjt në tokë. E të mendosh se këta janë vetë djajtë që bëjnë teatrin e radhës, këta janë demagogët dhe priftërinjtë e mashtrimit e të padrejtësive, regjisorët e skenarëve të vjedhjeve, vrasjeve e sundimit të këtij populli duke e lenë në një varfëri e padituri ekstreme përkundrejt jetës luksoze të tyre dhe fëmijëve të tyre deri në orgjira. Zoti për ta është paraja, pushteti dhe froni.

Nuk shkojnë se besojnë në Zot, as për të larë mëkatet e tyre, por vetëm për të ruajtur fronin. Jo fronin që vendos të ndenjurat, as për fronin që përdoret si shkallë për të rregulluar diçka. Bëhet fjalë për fronin që përdoret për të arritur lartësitë në pushtet, para, lavdi….. Për atë Fron që politikanët e pushtetarët e të gjitha kohërave dhe e të gjithë kombeve me mashtrime, intriga, hipokrizi, vrasje e helmime luftojnë ta marrin dhe pastaj ta mbrojnë.

Atë fron që aq bukur e me finesë artistike e demaskon Lasgushi i madh në një poemë për Sokratin “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, ku Lasgushi me sarkazëm dhe neveri fshikullon demagogjinë, mashtrimin dhe hipokrizinë e krerëve të shtetit: kryeqeveritarin, kryegjyqtarin dhe krypriftin. Siç shihet janë tre kryetarë, po aq sa ç`ishin dhe denoncuesit e Sokratit (fragmente të së cilës na i ka sjellë në shkrimin e tij Fatbardh Rustemi, Dita, 21 qershor, 2018).

Të parin që takon heroi i poemës, është kryeshtetasi, të cilin e pyet: “A i beson”,-“more burrë,/Kryeshtetas mendjendritur,/a i beson ti këta/ i beson ti këta Zotër/posi populli i paditur?” Dhe merr këtë përgjigje, e denjë për një demagog.:

“Unë nuk besoj aspak/as në Tempull, as në Zot,/po qëndroj për sy e faqe,/mërzit veten kot më kot./Se për Zotërit, në djall,/që të gjithë a s’kanë vajtur?/Këtë dredhëri bëj unë,/përmbi fron për të më mbajtur./Unë e di, se, në një kohë,/populli ka për t’u ngritur,/perandorë e kryeshtetas/posi bar për t’i kositur”.

Sokrati largohet nga pallati i madh dhe shkon të takojë kryegjyqtarin, apo kryetarin e Gjykatës së Lartë:

Vajte i the:-Kryegjyqtar,/burrë i drejtë e mendjelartë:/a i beson ti perënditë,/posi populli i paqartë?/

“Unë nuk besoj që ka/shumë zotër a një zot,/po për sy e faqe shtirem/që lus Zeusin kot më kot./Sa për zot-në dreq! Në djall!/Zotërit s’paskan mbaruar?/Kështu dhelpërohem unë,/në Fronin tim për të qëndruar./Sot, për sot, gjejmë pa bëjmë,/gjersa të na vijë fundi,/gjersa populli i sqaruar/të na tundi e të na shkundi.”

Sokrati i Lasgushit del prej Pallatit të Drejtësisë duke u përshëndetur ironikisht me Gjyqtarin dhelpëror dhe shkon të kryeprifti, që, duhet nënkuptuar selia e partisë ku udhëheqin kryetarët e partive.

“Mu në Tempull vajte pyete/kryepriftin madhështor,/atë prift të ditur shumë/q’ish i madh e shenjtëror./”A i beson, o Kryeprift,/që je kaq me dituri:/A i beson”, – the, – “perënditë/Posi populli axhami?/Fol me mua, fol me mua,/folmë sot ballë për ballë,/thuaj ç’ke në zemër tënde:/a beson më Zot ti vallë?”

Dhe merr këtë përgjigje cinike: “Unë fare, nuk besoj/në ka Zeus a tjetër zot,/unë bëj, për sy e faqe,/sikur lus me shpirtin plot./Papo shtirem që, besnikët,/mos zbulojnë shpirtin tim,/se kështu e do ky popull/që s’di gjë nga ky mashtrim./ Nuk ka Zeus, as nuk ka Zot,/Ferr, Lugat t’imagjinuar,/po ka popull të paditur/popull q’ende nuk është zgjuar “.

Ja pra këta janë ata që na drejtojnë ne e që tani imzot Frendo u vuri “kufirin tek thana”, na japin mesazhe nga “kishat e maleve dhe fushave “, duke e fshehur prapë djallëzinë dhe hipokrizinë e tyre. Sepse, për ta, lufta për Fron nuk as moral, as virtyte, as dashuri, as ndershmëri as humanizëm, as miq, as shokë, as familje, burrë grua, fëmijë, far e fis. Ka vetëm mjete për të justifikuar qëllimin. Ky është lajtmotivi i tyre për të mbetur në Fron. Për ta nuk ka Zot, as Ferr, as Lugat, se janë vetë të tillë. Besojnë për sy e faqe. “Këtë dredhëri e bëjnë për të mbetur në Fron”. Një realitet i trishtueshëm dhe i neveritshëm, që nuk duhet të përsëritet më asnjëherë, nëse kanë një fije ndërgjegjeje.

Fatkeqësisht edhe akti moral i Ipeshkvit nuk është shqiptar, por i huaj. I rëndonte në ndërgjegje këtij maltezi, pjesëmarrja dhe mesazhet hipokrite të politikanëve që gjatë gjithë vitit nuk i hidhnin sytë as nga të dërguarit e Zotit dhe aq më tepër të frekuentonin institucionet e tyre fetare.

Çfarë shëmtie! Që i dha fund Ipeshkvi i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës dhe që duhet pasuar nga gjithë të tjerët, por jo vetëm drejtues të institucioneve fetare, por edhe institucioneve të tjera laike.

T’i jepet fund një herë e mirë ftesave servile dhe hipokrite për politikanë dhe qeveritarë për të marrë pjesë në aktivitete, veprimtari apo ceremoni që nuk kanë lidhje me pozicionin e tyre, qoftë ky Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri etj… Edhe këta vetë, po të kenë skrupuj duhet ta kuptojnë se ftesa që u bëhet nuk përkon me dijet apo moralin e tyre, por thjesht për servilizëm.

A do të vazhdojë pafundësisht ky ritual i neveritshëm dhe hipokrit i këtyre krerëve të një “populli të paditur dhe që ende nuk është zgjuar”? A do të dalin kryepriftërinj e kryehoxhallarë që t’u thonë këtyre krerëve hipokritë e mashtrues: “Larg nga Kishat dhe Xhamitë tona! Bëni mirë punët tuaja!

Hej mik! Kushdo qofsh-president, kryeministër, kryegjyqtar, kryepartiak, kryepartiak, kryezyrtar, kryeakademiku, kryerektor e çdo krye tjetër qofsh!

Sapo hipni në një Fron ndryshoni qëndrim dhe kërkoni të paraqiteni si tjetër njeri. Je i njëjti dhe ke të njëjtin gjak që të qarkullon në trup dhe që të ushqen të njëjtin tru, që kishe pasur më parë! Froni nuk të bën as më të mençur e as më të ditur se çfarë je.

Froni të identifikon se kush je, ose siç thotë populli të nxjerr “kallajin”. Mos harroni kurrë se, Froni është mundësia e artë që i jepet një njeriu, për të patur një tribunë ku të shpalosë aftësitë e veta për ide, vizione, reforma e strategji për shtetin, qeverinë apo çdo institucion që drejton. Froni të evidenton mençurinë apo budallallëkun, modestinë apo mendjemadhësinë, urtësinë apo arrogancën, ndershmërinë apo mashtrimin tuaj. Froni evidenton nga njëra anë, njerëzit e vegjël që më shumë marrin se sa japin dhe nga ana tjetër, liderët që më shumë japin se marrin. “Edhe sikur të jeni ulur në fronin më të lartë të botës, ju rrini vetëm mbi të ndenjurat tuaj” (Montegne).

Back to top button
LAJMET E FUNDIT