Spiunët rusë mund të bëhen me aktivë në Gjermani

Në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, në Gjermani aktivitetet e spiunëve rusë mund të intensifikohen.
Lajmi bëhet i ditur nga “Deutsche Welle”, e cila citon ish-kreun e Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë, Gerhard Schindler.
Ish-zyrtari u shpreh se në Gjermani, si në vendet e tjera evropiane, aktivitetet e spiunazhit të Rusisë kanë vazhduar që nga Lufta e Ftohtë, përcjell Albanian Post.
“Kur konfliktet e armatosura përfshijnë sanksione ekonomike, është e qartë se inteligjenca është gjithashtu në rritje. Sigurisht që nuk kemi arritur ende në fund të këtij zhvillimi”, theksoi Schindler.
Sipas tij, është e pamundur të bëhet një deklaratë e besueshme për numrin e spiunëve rusë në Gjermani.
“Spiunët e njohur për Zyrën Federale dhe Zyrën Tokësore për Mbrojtjen e Kushtetutës janë vetëm maja e ajsbergut”, shtoi ish-zyrtari.
Në të njëjtën kohë, ai ishte skeptik se qeveria gjermane kishte dëbuar së fundmi 40 diplomatë rusë, duke i akuzuar ata për spiunazh.
Disa vende të tjera të BE-së kanë marrë më parë masa të ngjashme.
“Nëse ne i dërgojmë ata në shtëpi tani, dhe pastaj vijnë të rinj, atëherë kthehemi në pikën fillestare: ju nuk e dini nëse atasheu i ri kulturor është një spiun apo një diplomat i zakonshëm”, shpjegoi Schindler.
Prandaj, largimi i agjentëve nuk është një avantazh për kundërzbulimin.
Megjithatë, ndonjëherë dërgimi i sinjaleve të tilla mund të jetë politikisht i nevojshëm, nënvizoi ish-kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës.