“Nga e hëna rusët bllokojnë Mariupolin”/ Autoritetet ukrainase: Ja çfarë do ndodhë me civilët që mbetën aty

Një këshilltar i kryebashkiakut të Mariupolit, ka bërë me dije se forcat ruse kanë njoftuar se që nga e hëna, qyteti do të bllokohet dhe çdo mashkull që do të mbetet në qytet do të “filtrohet”.
Petro Andriushchenko, këshilltari i kryetarit të bashkisë, tha në Telegram se të dielën forcat ruse kishin filluar lëshimin e lejeve për lëvizje brenda qytetit të rrethuar, duke postuar një foto që supozohet se tregon banorët të rreshtuar për kalimet, raportoi CNN.
Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë kanë pretenduar se forcat ruse kanë kryer filtrim të civilëve në zonat nën kontrollin e tyre, duke i kontrolluar ata në mënyrë biometrike, duke u konfiskuar telefonat dhe, në disa raste, duke i deportuar kundër vullnetit të tyre në Rusi.
Këshilli i qytetit të Mariupolit ka pretenduar se filtrimi ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Rusisë për të mbuluar krimet e mundshme të luftës të kryera në qytet.