“Rusia jashtë, Kosova nis anëtarësimin e plotë në Këshillin e Europës”, thotë gazetari gjerman

Kosova mund të nisë shumë shpejt procedurat për anëtarësim të plotë në Këshillin Europian.
Kështu shprehet gazetari i njohur gjerman Michael Martens duke cituar disa burime diplomatike.
“Shanset janë të mira, matematikisht dhe politikisht”, shprehet gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” duke kujtuar përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Europës.
Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, krerët e politikës në Kosovë nisën një fushatë për nxitjen e anëtarësimit të vendit në Këshillin Europian dhe NATO.
“Kam kërkuar të bëhen organizimet që aplikimi në Këshillin e Evropës të bëhet sivjet. Ne po punojmë me partnerët tanë që kjo periudhë kohore të jetë sa më e shkurtë për Republikën e Kosovës. Nga shtetet që do të votojnë në këshillin e ministrave që është hapi i fundit i votimit në Këshillin e Evropës më shumë se 2/3 e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe shpresojmë që të votojnë në favor”, u shpreh më herët këtë muaj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.