“A do e sanksionosh Rusinë?”, senatori amerikan rrëfen bisedën me Vuçiç: Tha “më telefono pas gjashtëdhjetë ditësh, për të parë nëse…”

Tre senatorë amerikanë zhvilluan një tur takimesh në tre shtete të Ballkanit Perëndimor, ndër ta senatori Chris Murphy, i cili përmes një shkrimi në blogun e tij rrëfen takimet me liderat në Beograd, Prishtinë dhe Sarajevë.

Senatori Murphy si dhe dy kolegët e tij, Jeanne Shaheen dhe senatori republikan Thom Tillis mbërritën në Beograd pak kohë pasi Rusia kishte nisur pushtimin e Ukrainës.

Në shkrimin e tij Murphy e konsideron Ballkanin si një fushëbetejë influencash mes SHBA dhe Rusisë, ndërsa shpreh shqetësimin se Kremlini mund për përdorë lidhjet “proxy” për të destabilizuar vendet jo-anëtare të NATO-s në këtë rajon.

Ai rrëfen takimin e parë në këtë udhëtim, me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për të cilin thotë se e njeh mirë dhe shpesh drekojnë së bashku gjatë vizitave të tij në Uashington.

Megjithatë senatori Murphy shkruan se Vuçiç tashmë nuk mund të luaj më lojën e dyfishtë, duke qëndruar i ulur sa në karrigen e BE-së dhe të Rusisë. Ndaj ai kërkoi prerazi nga Vuçiç të marrë një vendim, për “të hyrë në rrugën e drejtë”.

Ja si e kujton senatori amerikan Chris Murphy vizitën e tij në Beograd dhe bisedën me Vuçiç:

Ky udhëtim ndodhi me ritme marramendëse. Katër qytete në katër ditë. Nga një natë në katër hotele. Katërmbëdhjetë orë në ditë nga e hëna në të premte.

Ndalesa jonë e parë ishte Beogradi, Serbi. Me kalimin e viteve, unë kam zhvilluar një marrëdhënie me presidentin e fuqishëm të vendit, Aleksandër Vuçiç – ne shpesh drekojmë kur ai viziton Uashingtonin. Kur mbërritëm në zyrat presidenciale, ai e përshëndeti ngrohtësisht delegacionin tonë. As Shaheen dhe as Tillis nuk e kishin takuar ndonjëherë Vuçiçin, kështu që unë e nisa takimin tonë me një togfjalësh tipik diplomatik për miqësinë e gjatë midis dy kombeve tona. Dy minuta pas monologut tim të hapjes, Vuçiç më ndërpreu fjalën.

“Chris, Chris Chris… ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Boll me këtë formalitet. Çfarë do të dish? Unë do të ta them.”

“Ok, Aleksandër,” iu përgjigja paksa i lëkundur. “Ne duam ta dimë – do të qëndroni me kombet demokratike dhe do të sanksiononi Rusinë, apo do të vazhdoni të luani me të dyja palët?”

Kjo na futi në një bisedë të gjatë dhe të sinqertë për dëshirën historike të Serbisë për, siç thonë ata në Ballkan, të ulet në dy karrige. Një në Evropë dhe një në Rusi. Vuçiç e kishte menaxhuar me shkathtësi këtë ekuilibër për vite me radhë, por tani pushtimi i Ukrainës e ka detyruar atë në një pikë vendimi. Bashkimi Evropian – anëtar i të cilit Serbia dëshiron të bëhet – nuk do ta lejojë më Vuçiçin të ulet në të dyja karriget. Ai do të duhet të zgjedhë dhe me kalimin e kohës, ne e shtymë Vuçiçin në disa hapa afatshkurtra që ai mund të bënte drejt zgjedhjes së duhur, raporton newsbomb.al.

“Më telefono pas gjashtëdhjetë ditësh,” na tha ai ndërsa takimi u ndërpre. “Kontrollo për të parë nëse e kam bërë atë që po të them se do të bëj.”

“Është një takim,” i thashë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT