“Na kanë kërcënuar që të mos dalim se ndryshe…”, Banorët e Rinasit sërish në protestë: Do lidhemi me zinxhirë

Banorët e zonës së Rinasit janë ngritur për të 4-tën ditën në protestë, duke kundërshtuar vendimin e ARRSH për kthimin e rrugës së aeroportit me një sens lëvizjeje.
Ata kanë bllokuar rrugën dhe janë ulur në mes të saj, bashkë me fëmijët e tyre për të cilët kanë thënë se nuk i çojnë dot më në shkollë për shkak të devijimit që është bërë. Në dallim nga 3 ditën e para, spot ata janë mbledhur pranë shkollës 9-vjeçare ‘Rexhë Deliu’, ndërsa shtojnë se protestat do vazhdojnë deri sa të marrin një zgjidhje.
“Një shpresë të vogël e kemi se na kanë dhënë llafin shpresojmë mos na mashtrojnë, ose përndryshe këtu na keni përditë, kalamajtë pa shkollë se nuk kemi si ti çojmë. Të na hapet rruga të paktën deri te kryqëzimi dhe Rrethi Nënë Tereza”, tha një banor.
Ata shprehen se nuk kanë një rrugë alternative nga të kalojnë, pasi rrugicat për të cilat ARRSH thotë se mund të përdoren janë shumë larg sipas tyre.
“Nuk ka rrugë alternative, është mashtrim, është një rrugë ekzistuese për 5-10 shtëpi, po unë që e kam shtëpinë më andej si t’ia bëj që e të vij te rruga alternative? Tek rrugicë është, nëse ARRSH gjen rrugicë tjetër ne tërhiqemi nga protesta, edhe ajo rrugë është copë-copë”, tha një tjetër banor.
Një tjetër banor tha se disa prej tyre që punojnë ne Aeroport janë kërcënuar me pushim nga puna nëse dalin ne proteste:
“Ka disa banore të fshatit që punojnë ne aeroport. Tre vetë janë hequr nga puna, ne nuk jemi drejtorë, ne jemi sanitarë më të shumtët. Të gjithëve u ka bërë presion nëse del një në kamera i kanë thënë je i pushuar nga puna. Këtu rroga 300-400 mijë lekë është, po dhe rrogën nuk mund ta lë, ky ta jep rrogën ky ta merr”, tha ai.
Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestave, ndërsa thonë se do lidhen me zinxhirë nëse ARRSH nuk hap rrugën.