Luftime të rënda në Mariupol, komandanti i Azov: Ushtarët e mi po bëjnë përpjekje mbi njerëzore, armiku është në territorin tonë

Një komandant ukrainas në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, nënkoloneli Denys Prokopenko, tha se ka “beteja të përgjakshme” që po zhvillohen me forcat ruse brenda kompleksit pasi ata shkelën perimetrin, edhe pse Rusia tha se do të hapte korridoret e evakuimit nga uzina të enjten.

“Ka dy ditë që armiku është futur në territorin e uzinës. Ka beteja të rënda të përgjakshme”, u shpreh ai. Kryetari i Bashkisë Vadym Boichenko, tha dje se luftimet kanë shpërthyer në uzinë, ku qindra civilë – përfshirë 30 fëmijë – janë ende të bllokuar.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se pret  të hapë korridoret e evakuimit  për civilët nga uzina e çelikut Azovstal pranë Mariupol duke filluar nga e enjtja. Evakuimet janë caktuar të zhvillohen nga 5 maji deri më 7 maj nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 pasdite me orën e Moskës.

“Jam krenar për ushtarët e mi që po bëjnë përpjekje mbinjerëzore për të frenuar sulmin e armikut. Falenderoj të gjithë botën për mbështetjen e jashtëzakonshme të garnizonit të Mariupolit. Situata është jashtëzakonisht e vështirë, por ne vazhdojmë të zbatojmë urdhrin për mbaj mbrojtjen”, shtoi Prokopenko.

Fundjavën e kaluar, më shumë se 100 civilë u evakuuan  nga uzina e çelikut Azovstal dhe arritën të sigurtë në Zaporizhzhia. Luftëtarët e Regjimentit Azov po “japin ujë dhe ushqim” për civilët – por koha po mbaron, tregoi zëvendës komandanti Svyatoslav Palamar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se 344 persona u evakuuan nga Mariupol dhe zonat përreth në Zaporizhzhia të mërkurën. “Unë u jam mirënjohës të gjithë atyre që e bëjnë operacionin e evakuimit të suksesshëm”, u shpreh presidenti.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT