Thirrini mendjes: Rama-Berisha-Basha-Meta dhe derivatet, janë bashkë përballë jush!

NGA POLI HOXHA
Jemi në një situatë kur po kërkohet një marrëveshje për presidentin e ri të vendit, pasi Ilir Meta të “ngarkojë plaçkat” nga zyra më e lartë e shtetit në 25 prill të këtij viti.
Mbrëmë (7 prill 2022) kryeministri Edi Rama deklaroi te “Opinion” i Blendi Fevziut se, “për herë të parë pas 20 vitesh PS i ka votat për të zgjedhur presidentin, por do të konsultohet me copat e opozitës”.
Me copat, jo me ata të botës së përtejme- tha- duke u deklaruar qartë se grupi i Berishës është i përjashtuar.
Rama e ka të shkruar në ballë se presidentin e do 100% për vete, por duket se ndërkombëtarët dhe veçanërisht SHBA po investohen fortë që ai të jetë produkt konsensusi, siç e përcakton Kushtetuta për 2 raundet e para.
Gjasat janë që Edi Rama të bëjë atë që ka në mendje, por pesha e skandaleve mund të detyrojë që të ulë kokën para ndërkombëtarëve dhe të bëjë një marrëveshje me grupin e Bashës, për një emër të baraslarguar nga palët.
Me këtë rast po ju sjellim një retrospektivë të marrëveshjeve (në dukje të vështira) që ka bërë politika problematike shqiptare gjatë këtij tranzicioni, për të kuptuar se kemi të bëjmë vetëm me pazare në kurriz të shqiptarëve të thjeshtë dhe riciklim të klasës së korruptuar politike.
Që nga viti 1997, partitë e vjetra (PS-PD) pavarësisht se janë shfaqur si “kundërshtar të përbetuar”, kur ka ardhur puna për interesat e tyre të ngushta kanë flakur thikat dhe janë përqafuar, duke rrënuar demokracinë pluraliste.
Kështu në maj të vitit 1996, zgjedhjet parlamentare u dënuan ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe u bojkotuan nga partitë opozitare. Partia Demokratike nga ky proces i dyshimtë ku kutitë me vota i transportonin në qytet e mëdha edhe bandat, fitoi 122 nga 140 vende në parlament.
Por kjo do të ishte “një fitore si e Pirros”.
Vetëm një vit më vonë (1997) shembja e skemave piramidale solli humbjen e kursimeve personale dhe familjare të qindra-mijë shqiptarëve, duke shkaktuar protesta të mëdha antiqeveritare.
Presidenti Sali Berisha shpalli shtetrrethimin në 1 mars 1997 pasi grupe të armatosura dhe të frymëzuara nga opozita e majtë, morën kontrollin e gati gjithë qyteteve, përveç Tiranës.
Në këtë moment të rrezikshëm anarkie, Organizata për Siguri e Bashkëpunim Europian dërgoi në Shqipëri një mision këshillues të drejtuar nga kancelari Franz Vranitzky, i cili inicioi dialogun mes qeverisë dhe opozitës.
Berisha i gjendur në qoshe dhe pa shtet në duart e tij lëshoi me detyrim gjithçka, përveç qëndrimit të vetvetes në lojë, kurse e majta erdhi në pushtet me një mbështetje të madhe. Kjo i krijoi komoditetin që të shkruaj një Kushtetutë të re, që niste me fjalët, “Ne populli shqiptar…”, por që me kalimin e viteve u kuptua se ai paragraf nënkuptonte, “Ne politikanët, zotër të popullit shqiptarë…”.
Pajtimi që i bëri OSBE dy palëve të cilat ishin përgjegjëse për vitin 1997 i cili prodhoi mbi 3000 shqiptarë të vrarë ( por asnjë politikan) u shoqëruar me amnisti për mëkatet e tyre. Por kjo nuk ishte asgjë përpara konsolidimit të një model politik të paprecedent në Europë i cili, De Fakto, në çdo rast përjashton vullnetin e popullit dhe votuesve.
Që atëherë ndërkombëtarët do të ishin pjesë, hartues dhe garantues të pakteve, ndryshimeve kushtetuese-ligjore dhe certifikues të fundit të pushtetit qeverisës dhe partiak.
Kjo vijë sjellje që përcaktuan të huajt dhe që ju jep “marrëveshjeve politike” mes partive- mamuthe (PS-PD) atribut gati hyjnor, do të sillte në vijim shkallmimin e Kushtetutës disa herë.
Kështu edhe vazhdoi. Në vitin 2002, Fatos Nano, u ul me Sali Berishën sikur mos ekzistonte as burgu i të parit dhe as “Grushti i shtetit dhe kryengritja e armatosur e komunistëve socialistë” në vitin 1997.
Edhe këtu shfaqen ndërkombëtarët si kumbarë të këtij riciklimi. Pjesë e negociatave, Nano-Berisha, ishin përfaqësuesi i OSBE-së Geert Ahrens dhe danezi Jorgen Grunnet i Këshillit të Europës. Kjo solli që më 17 mars 2002 pas një takimi në zyrat e ambasadorit të OSBE Ahrens, u ra dakord në parim për një “marrëveshje historike” PS-PD. Baza e dokumentit në pamje të parë fliste për “reforma bipartizane konsensuale”, por në fakt rezultoi një ndarje e tavës, pra e posteve të larta të shtetit në tavolinë.
Kështu u vendos që të zgjidhej presidenti konsensual dhe vetëm një ditë më pas u shkarkua Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi.
Vetë Nano dhe Berishës firmosën brenda zyrave të OSBE-së në 5 prill 2002 dhe me këtë rast i habitën dhe i qetësuan ushtritë e tyre me militantë, duke bërë një fotografi “me shtrëngime vëllazërore” duarsh!
Po njësoj (sepse është produkt i sofistikuar i të dyve) bëri edhe Edi Rama në vitin 2008, pasi firmosi një marrëveshje të shpejtë dhe natën për ndryshimet kushtetuese me “armiku” Sali Berisha. Po njësoj vepruan, edhe për Kodin Zgjedhor në vitin 2012. Sot Berisha (8 prill 2022) ju numëroi gazetarëve fitoret që ka arritur mbi socialistët, por “harroi” marrëveshjet që ka bërë me ata.
Edhe në vijim: U morën vesh (gjithmonë nën shkopin dhe bekimin e ndërkombëtarëve) për ndryshimet Kushtetuese të vitit 2016 me rastin e Reformës në Drejtësi, por Meta dhe Berisha më pas e akuzuan Ramën se e prishi paktin.
Në vitin 2017 me rastin e “Çadrës” Lulzim Basha u mbyll, tek-për- tek, me Ramën, bënë atë marrëveshje që bënë, por ky i fundit sërish e akuzoi se kryeministri ja drodhi.
Ilir Meta po në atë periudhë, hëngri e piu peshk e verë të mirë me Ramën te Pazari i ri (skenë e përsëritur që nga ngjalat e famshme para zgjedhjeve të vitit 2013) dhe pak më vonë e pamë president.
Ndryshuan sërish Kushtetutën me marrëveshjen e 5 qershorit në oborr të amerikanëve në vitin 2020 e cila morri 99 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenim, por sërish nisën akuzat për shkelje dhe prerje në besë.
E njëjta skenë (sherrosen e pastaj bëjnë marrëveshje), të njëjtë protagonistë dhe e njëjta Shqipëri gjithmonë në tranzicion dhe në krizë ekonomik- politike permanente.
Pse kështu?
Sepse janë bashkë; jo se e pëlqejnë apo kanë afinitet për njëri tjetrin, por sepse janë në biznes!
Kur dikush del nga loja (apo duket sikur ka dalë) si në rastin e Berishës aktualisht, ai është “i vdekur që është arratisur nga bota tjetër”.
Edi Ramës në fakt aktualisht nuk i duhet askush këtu brenda se e mbajnë ndërkombëtarët që po e shohin “çmendurisht” si opsion të vetëm tani për tani. As copat e opozitës që duken sikur janë ende në lojë, por është i detyruar të fute në ndonjë lloj marrëveshje, pasi pluralizmi demokratik duhet të vazhdojë të jetë fasada për qorrat militantë dhe për ndërkombëtarët po e po.
I duhet që të vazhdoj ta mbajë në lojë “opozitën” si fasadë e biznesit që prodhon vetëm para dhe pasuri të paluajtshme.
Edhe opozita (të gjitha copat) janë në biznes. Një ditë do vijnë në pushtet (por edhe kështu nuk është se vuajnë si shqiptarët e thjeshtë) dhe skema, rrethi vicioz 30-vjeçar, për asnjë lloj arsye nuk duhet të prishet. Edhe sikur Shqipëria të mbytet në gjak si në vitin 1997!
Janë bashkë, Rama-Berisha-Basha-Meta dhe gjithë derivatet e tyre, sepse janë në një biznes të njëjtë. As xhan dhe as armik nuk e kanë njëri tjetrin; ndajeni mendjen. Vëreni logjikën 2 sekonda në punë; Pse shohim të njëjtin film 30 e kusur vite?!
Sepse janë ortakë, bashkë në biznes, medie, kompani biznesmenësh, krim të organizuar…Nuk ka ca më të mirë e ca më pak të mirë në këtë histori; është njësoj si të pranosh se një prostitutë është pak më e virgjër se tjetra. Krijojnë e zgjidhin “kriza” pa mbarim, sepse kështu mbijetojnë e vazhdojnë biznesin. Nuk e shihni që shqiptarëve ju janë neveritur protestat, sepse e kanë kuptuar që edhe ato në fund çojnë ujë te i njëjtin mulli?!
Nuk e kuptoni?/ Berisha e Meta 31 vite në lojë, Rama 24 e Basha 17!
Ndaj të paktën për hir të logjikës suaj kthjellohuni dhe të paktën tregojuni fëmijëve, se janë të gjithë bashkë dhe njësoj (Një pakicë e frikshme në proporcion me pasurinë dhe pushtetin që posedojnë), përball Lopës-Shqipëri!/ Alfapress.al